12 të lënduar. Prishen objektet që pengojnë nënkalimin

“Prej orëve të para të mëngjesit dhe deri në orën 18:00 të së martës, IKMT ka shembur 33 objekte në Lotin e Parë të segmentit rrugor nga rrethrrotullimi i Shqiponjës deri tek Pallati me Shigjeta. Me shembjen e objekteve i hapet rrugë edhe ndërtimit të nënkalimit tek rrethrrotullimi i Shqiponjës, një nyje e cila do të çlirojë trafikun në kryeqytet”.

Por aksioni i IKMT u shoqërua me tensione në orët e para të mëngjesit.

Ky është momenti kur banorët e zonës së Astirit iu përgjigjën me molotov e gurë punonjësve të Inspektorit Kombëtar për Mbrojtjen e Territorit që nisën shembjen e objekteve që preken nga projekti i nënkalimit të Unazës së Madhe.

Një bombë me molotov shpërthen fare pranë një autobusi me pasagjerë, i cili fatmirësisht shpëton nga zjarri.

Sulmit të banorëve, policia iu kundërpërgjigj me gaz lotsjellës.

Nga përleshja 13 persona mbetën të plagosur, mes tyre 5 punonjës të policisë dhe 8 banorë. Pas marrjes së ndihmës mjekwsore, që të gjithë lanë ambientet e Spitalit të Traumës në orët e pasdites.

Fillimisht Partia Demokratike raportoi se nga përplasja një protestues kishte humbur jetën. Por fatmirësisht, asnjë nga banorët dhe efektivët e plagosur nuk pati rrezik për jetën.

Pas përplasjes në orët e para të mëngjesit, situata u qetësua dhe Inspektorati vijoi me prishjen e 33 objekteve që preken nga projekti i përfolur për shkak se tenderi i parë u fitua nga kompania DH Albania, me dokumente të falsifikuar.

Pas përfundimit të hetimeve është vendosur të procedohen në gjendje të lirë 25 persona ndërsa një 46 vjeçar është ndaluar me akuzën “kundërshtim me dhunë të punonjësit të policisë së rendit.

Nga 33 objektet që u shembën, 21 prej tyre janë shpronësuar, ndërsa pjesa tjetër është skualifikuar nga procesi i legalizimit. Për pronaret e objekteve pa leje, Bashkia e Tiranës ka ofruar bonus qiraje për 3 vite ose banesa sociale, por kjo ofertë është refuzuar prej tyre.

Tv Klan