Policia maqedonase përdori gazin lotsjellës për të zmbrapsur emigrantët nga gardhi metalik i vendosur në kufirin me Greqinë. Situata u tensionua në kampin e improvizuar në Idomeni, teksa më shumë se 500 emigrantë tentuan të rrëzonin barrierën e vendosur nga autoritetet maqedonase.

Përpara kamerave, një prej emigrantëve ka thënë se duan të arrijnë në Europë më çdo kusht: “

Është hera e dytë që hedhin gaz kundër nesh. Duam të mbërrijmë në Europë me paqe. Nuk kemi ardhur për luftë. Ne jemi larguar nga lufta. Europa duhet ta dijë se kjo është kriminale

”.

Mediat greke shkruajnë se emigrantëve u janë shpërndarë fletushka në gjuhën arabe, ku u bëhej thirrje t’i drejtoheshin kufirit me Maqedoninë dhe të rrëzonin gardhin.

Më shumë se 11 mijë emigrantë ndodhen të bllokuar në kampin e Idomenit, që prej vendimit të Maqedonisë dhe vendeve të tjera të Europës juglindore për të mbyllur kufirin. Pak ditë më parë rreth 300 shtetas pakistanezë u kthyen mbrapsht në Turqi, në kuadër të marrëveshjes mes BE dhe Turqisë për sistemimin e emigrantëve./ TV KLAN