Profesioni i mjekësisë është një nga misionet më humane që ndodhet në shërbim të njeriut. Në rastin e Angjelin Shtjefnit, ky profesion merr nota fisnikërie. Prej vitesh ai jeton në SHBA, por rrënjët e tij janë ende në fshatin Fishtë të Lezhës. Tashmë prej disa vitesh ai rikthehet aty për t’i shërbyer falas banorëve të fshatit me përgatitjen dhe eksperiencën nga përtej oqeanit.

Rubrika “Një si ne” e emisionit “Shije Shtëpie” në Tv Klan iu drejtua ambulancës Fishtë për të takuar mjekun që nuk ka pushuar asnjë ditë të jetës së tij, i dedikuar për t’i shërbyer njerëzve. Këta të fundit nuk janë vetëm nga zona, por edhe nga krahinat përreth e qytete të tjera.

Agida Koçi: Së pari, a jeni lodhur sot, a ka pasur shumë pacientë?

Angjelin Shtjefni: Jo, nuk jam lodhur, nuk ka patur shumë pacientë. Deri tani ka pasur 15 vetë, kemi filluar në orën 09:00 dhe tani besoj se janë rreth 5-6 në korridor.

Agida Koçi: Kur keni menduar që të vini në Shqipëri dhe të vizitoni falas pacientët e Fishtës?

Angjelin Shtjefni: Ideja ka qenë në kohë, mirëpo zakonisht ideja me mundësitë nuk përkojnë në momentin që do. U bë e mundshme që në 2018 të bëja vitin e parë të vizitave dhe u organizova këtu në Fishtë dhe në fshatin përbri. Erdha edhe në 2019, do bëja edhe vjet, por për shkak të pandemisë, çdo gjë ishte mbyllur dhe nuk u organizua. Sivjet, u liruan pak gjërat, me vaksinën dhe uljen e rasteve, kështu që u bë e mundur, megjithëse gjysmë, sepse dëshiroja të vinte edhe një farmacist me mua, por Covid ndryshon shumë plane.

Agida Koçi: Nëse mund të na e tregoni pak, si kanë qenë vitet tuaja përpara se të iknit në Amerikë?

Angjelin Shtjefni: Vitet e mia janë pak interesante sepse unë jam lindur e rritur këtu, kam bërë shkollën e mesme në zonën tonë, kam filluar fakultetin në 1982 dhe e kam mbaruar në 1987. Megjithëse këtu nuk kishte mjek, zona ime ishte pa mjek, më caktuan në Fushë-Arrëz, nga minierat. Kisha edhe 3 fshatra të tjera dhe mbuloja edhe spitalin e Fushë-Arrëzit, një fundjavë. Punoja atje dhe çdo fundjavë vija në shtëpi, por s’kam bërë asnjë ditë pushim. Vija me tren, ulesha dhe gjeja njerëz që më prisnin sepse e dinin orën dhe ditën që vija, përveç asaj gjeja edhe kërkesa në shtëpi sepse më lajmëronte nëna për ata që më kishin kërkuar. I mbaroja derisa vinte koha për të shkuar prapë në punë, të hënën.

Agida Koçi: Në 96-ën keni shkuar në Amerikë. Si ishin fillimet tuaja atje?

Angjelin Shtjefni: Në Amerikë e dija që do të kishte vështirësi. Vështirësitë e para të orientimit, të ambientimit, të gjuhës dhe të mbështetjes ekonomike. Punoja ditën, shkoja në shkollë në darkë dhe një vit pasi shkova atje, arrita të hyja në një ambulancë që ishte “doktor i familjes”. Punova nga viti 1987-2006.

Agida Koçi: Para 96-ës e deri në 2018 le të themi, keni vizituar banorët e vendlindjes dhe prapë jeni kthyer për banorët e Fishtës. Ka ndonjë ndryshim apo të përbashkët prej atyre viteve e deri tani?

Angjelin Shtjefni: Ndryshimi i vetëm është se unë fillova t’i vizitoja banorët e fshatit kur problemet ishin shumë më të mëdha, sidomos ekonomike, të ushqimit, ndërsa tani ky nuk ekziston, por pak a shumë ka ndikuar në anën e kundërt sepse duke i pasur të gjitha mundësitë e ushqimit, shoh probleme me mbipeshën, por në përgjithësi, kam vazhduar atë qëllim që kam pasur, atë marrëdhënie me pacientët dhe jam shumë i mallëngjyer nga mënyra si më trajtojnë, si flasin, si më presin.

Agida Koçi: Pikërisht këtë doja t’iu pyesja, duke marrë disa mendime në korridor, por edhe jashtë ambulancës ku ka njerëz që ju presin, sapo përmenda emrin tuaj, vazhdojnë e vazhdojnë me fjalë të mira. Ju si ndiheni për këtë?

Angjelin Shtjefni: Ndihem shumë shumë mirë, por është meritë e tyre. Unë kudo që të shkoj, prapë jam nga Fishta. Krediti është i gjithë i tyre, jo imi.

Agida Koçi: Më duket mua apo jeni pak si i përlotur?

Mjeku pohon me kokë.

Agida Koçi: Ka ndonjë peng që ju ka mbetur që keni ikur apo për vendin?

Angjelin Shtjefni: Jo, është kënaqësi që kthehem dhe shërbej këtu. Një kënaqësi e veçantë që më stimulon dhe e di që do të vij prapë, do të vazhdoj ta zgjeroj. Më stimulon që të jem jo vetëm i aftë që t’i këshilloj, por edhe t’i di të dhënat më të fundit e shkencës mjekësore. Mjekësia ndryshon çdo ditë, ilaçet që përdoreshin kur mbarova fakultetin nuk përdoren më sepse kanë efekte anësore etj. Dieta ka ndryshuar, është standarde e mjekimit, standarde për sëmundjet kronike, akute, ndryshon çdo ditë, çdo vit. Këto të gjitha, në bazë të një zbulimi shkencor ose statistikave, arrihet konkluzioni dhe unë, me aq sa të kem mundësi, do t’i sjell këtu sa herë që të vij. Shpresoj që javën e dytë të Gushtit dhe javën e parë të Shtatorit, meqë kjo është edhe periudha më e qetë, të vijmë, të bëjmë vizitat, të sjellim disa aparatura që janë pjesë e mjekut të familjes që na nevojiten për të dhënë ne një mjekim të volitshëm dhe të arrihet një konkluzion brenda zyrës, siç është p.sh EKG, prova të mëlçisë e mushkërive, që mund të bëhen në mënyrë ambulatore./tvklan.al