Kreditimi në ekonominë shqiptare është ngadalësuar, por në momentin që huatë me probleme janë ulur çdokush mund të pyeste se çfarë është duke ndodhur. Edhe pse niveli i kredive të këqija ka zbritur në 11.1%, pjesa më e madhe është bërë në formën e pastrimit të bilancit të bankave, por pronat, në këtë rast kolaterali, ka mbetur i paekzekutuar. E gjithë kjo situatë erdhi pas një vendimi që morën dy ministrat teknikë në 2017-n, Gazmend Bardhi dhe Helga Vukaj, të cilët 3-fishuan tarifat që bankat dhe debitorët i paguajnë përmbaruesve.

Por edhe pse në Gusht një vendim i ministrave Arben Ahmetaj dhe Etilda Gjonaj uli tarifat përmbarimore duke i bërë më të përballueshme për qytetarët, Dhoma e Përmbarësuesve Gjyqësorë Privatë e ankimoi këtë çështje në Gjykatën e Apelit Administrativ, padi e cila u rrëzua.

Në këtë situatë të paprecedentë, ku përmbaruesit bëjnë interpretim të vendimit të Gjykatës, duke nxjerrë një direktivë se tarifat marramendëse të 2017-ës do të jenë në fuqi derisa të shprehet Gjykata e Lartë, Shoqata e  Bankave i bën kërkesë Ministrisë së Drejtësisë si institucion që i licencon përmbaruesit që të ndërhyjë.

E pyetur nga Televizioni Klan, Ministria e Drejtësisë dha thuajse të njëjtën përgjigje që i ka dhënë Shoqatës së Bankave, duke sqaruar se nuk është në tagrin e saj të vlerësojë udhëzimet e brendshme të Dhomës së Përmbaruesve, por duke pranuar se ka në dorë monitorimin dhe kontrollin e veprimtarisë së kësaj dhome.

Çmimet e këtij tregu në çdo vend të Europës dhe rajonit nuk janë më të larta se 2500 Euro për një shërbim, ndërsa në Shqipëri tarifat janë nga 1 mijë Euro për pronat me vlerë minimale deri deri në 200 mijë Euro. Tarifat vendosen në përqindje të vlerës së pronës dhe mbildhen në dy forma: tarifë ekzekutimi dhe tarifë suksesi. Por çfarë do të thotë kjo? Për të njëjtën punë që një përmbarues shpenzon për të ekzekutuar dhe shitur një pronë me sipërfaqe të njëjtë në Tiranë, merr më shumë se për një pronë të ngjashme në një qytet tjetër, ndonëse kryen ekzaktësisht të njëjtat procedura. Juristët thonë së është njësoj sikur një noter në Tiranë të marrë më shumë për procedurat e shitjes së një makine sesa noterët e tjerë që bëjnë procedura të njëjta për makina të ngjashme në qytete të tjera.

Tv Klan