Të paktën 4 trupa janë gjetur, pasi ekipet e shpëtimi nxorën rrënojat e anijes turistike që u fundos në Danub, Budapest muajin e kaluar.

Zhytësit hynë me një vinç në anije gjatë kohës që ajo ngrihej në sipërfaqe. Pamjet nga vendi i ngjarjes të martën në mëngjes treguan kabinën dhe kuvertën e sipërme të anijes të nxjerrë nga uji ndërsa zhytësit kërkonin për viktimat, raporton BBC.

Përpjekjet nga ekipet hungareze dhe të Koresë së Jugut për gjetjen e trupave të zhdukur janë penguar nga niveli i lartë i ujit në Danub.

Trupat e gjetur janë ato të tre koreanëve të Jugut dhe kapitenit hungarez, bën me dije agjencia e lajmeve Yonhap e Koresë së Jugut.

Anija “Mermaid” po transportonte turistë nga Koreja e Jugut kur u përplas me një anije tjetër. Deri tani bilanci i viktimave numëron 20 të vdekur dhe tetë të zhdukur./tvklan.al