Mbi 120 të vdekur në Gjermani dhe Belgjikë

Të paktën 120 persona kanë humbur jetën në Gjermani dhe Belgjikë si pasojë e përmbytjeve që shkaktuan shirat e rrëmbyeshëm  që përfshinë Europën Perëndimore.

Shumica e viktimave janë në Gjermani, ku vala e motit të keq preku 2 rajonet perëndimore të Rajnland Pfalcit dhe Rinit Verior e Vestfalisë.

Autoritetet gjermane kanë konfirmuar rreth 100 viktima, ndërsa bilanci pritet të thellohet edhe më tej, pasi afro 1300 persona të tjerë janë shpallur të zhdukur.…

Të Premten në mëngjes, Valporzheim në Rhineland i ngjante një “qyteti fantazmë”, pasi shumë njerëz u larguan nga shirat ekstremë.

Krahas humbjeve në jetë njerëzore, përmbytjet kanë shkaktuar edhe dëme të mëdha materiale. Autostrada të dala jashtë funksionit, shtëpi të shkatërruara, e makina të mbuluara nga uji. Ishte kjo pamja që të ofronin shumë pjesë të Gjermanisë këtë të premte.

Autoritetet lokale thanë se shkalla e dëmeve ishte e pakonceptueshme. Ndërsa kancelarja, Angela Merkel duke folur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës premtoi mbështetje të plotë për familjarët e viktimave dhe dëmet materiale.

Belgjika gjithashtu ka raportuar të paktën 20 të vdekur dhe 20 të zhdukur pas motit ekstrem ndërsa autoritetet e kanë shpallur 20 Korrikun ditë zie kombëtare. Shirat shkaktuan probleme me përmbytje edhe në Holandë, Luksemburg e Zvicër.

Në Turqi gjithashtu u raportuan për përmbytje vdekjeprurëse me pasojë të paktën 6 të vdekur deri më tani.

Tv Klan