Rritja e nivelit të ujit është tipike për Vjeshtën dhe Dimrin por e pazakontë për muajin e Gushtit

Sheshi i Shën Markut në Venecia është përballur me një fenomen asapk të zakontë. Në kulmin e sezonit turistik vendi ka regjistruar një nivel të lartë uji, tipik ky  për sezonin Vjeshtë-Dimër, por jo për muajin Gusht. Gjatë mbrëmjes niveli i ujit arriti në 100 centimetra.

Nivelet e larta të ujit në fillim të Gushtit nuk janë diçka e zakontë për qytetarët italianë  të cilët janë disi të habitur me fenomenin në fjalë.

Restorantet dhe baret janë kthyer në pellgje ndërsa turistët e shumtë të pranishëm e kanë përjetësuar fenomenin me telefonat e tyre për të shkrepur foto e kapur video dhe më pas për t’i  postuar ato në rrjetet sociale.

Por me situatën në fjalë ka patur dhe nga ata qytetarë të mrekulluar nga fenomeni të cilët e kanë shijuar në maksimum. Në rrugë mund të shiheshin çifte që vallëzonin nën tingujt e muzikës ndërsa kyçet e këmbëve qëndronin të zhytura në ujë. Ndërkohë nga të gjithë ata që janë lumturuar më shumë kanë qenë të vegjlit.

Niveli i ujit është rritur si rezultat i ndryshimeve klimatike i cili ka shkaktuar rritjen e nivelit të detit dhe baticave.

Klan News