Ditët e fundit thuajse e gjithë Shqipëria u gjend nën pushtetin e ujit. Mes zonave të përmbytura, në mënyrë të paprecedentë ishte dhe një pjesë e autostradës Tiranë-Durrës, pranë “City Park”.

Emisioni ”STOP” tregon sesi bllokimi i përroit të Limuthit, në zonën administrative të Mazrekut, çoi në situatën e pazakontë.

Edhe përgjatë ndërtimit të “City Park”, e po kështu të një tjetër biznesi, Rejsi Farma, projekti i rehabilitimit të përroit të Limuthit dështoi. E në fakt nuk bëhej fjalë për një rehabilitim, por përpjekje për ta futur rrjedhën e tij në tuba. Nëse nuk do të merren masa, situata ka gjasa të përsëritet.

Gazetari i emisionit “STOP” i drejtohet njësisë administrative të Mazrekut, pranë përroit të Limuthit, i cili mbledh ujërat e shirave të katër fshatrave, Kasharit, Gjokaj, Mazrekut dhe Kusit.

Vazhdimi i rrjedhës së përroit prekte dhe tërritorin e qendrës tregtare “City Park”, të cilës iu dha një leje nga Këshilli i Ministrave për rehabilitimin e përroit. Por pas 2 vitesh ky përrua shkoi në shtratin e tij natyror.

Në dukje është investuar për rehabilitimin e këtij përroi, por dalja e tij është shumë e ngushtë, çka bën që kjo qendër tregtare të përmbytet, duke shkaktuar një dëm ekonomik mjaft të lartë.

Gazetari i emisionit “STOP” ngre pyetjen se kur do të ndërhyjnë instancat përkatëse për zhbllokimin e përroit të Limuthit, për të mos patur një tjetër përmbytje katastrofike./

tvklan.al