Pjesa lindore dhe jugore e Kinës po përballet me përmbytje të mëdha përgjatë ditëve të fundit. Sipas departamentit kinez të Menaxhimit të Emergjencave, autoritetet kanë evakuuar rreth 1.3 milionë persona nga 19 milionë të prekur nga përmbytjet.

Përmbytjet kanë sjellë rrëshqitje toke dhe dëme të mëdha materiale. Këto pamje tregojnë sesi një shtëpi rrëzohet pasi rrjedha e fuqishme e ujit e merr përpara.

Shirat e rrëmbyer kanë vazhduar edhe mbrëmjen e djeshme në provincat Jiangxi dhe Anhui të Kinës Lindore duke bërë që rrugët të shndërroheshin në lumenj. Transporti rrugor dhe ai hekurudhor është ndërprerë.

Reshjet maksimale u regjistruan në qytetin Zhangshu, ku  uji arriti deri në 60.6 milimetra. Situata e përmbytjeve në zonat rurale është më e rëndë, pasi uji  ka arritur deri në tre metra.

Sipas autoriteteve shirat e rrëmbyeshëm kanë shkatërruar më shumë se 34, 000 shtëpi, 1,76 miliardë hektarë tokë bujqësore, duke shkaktuar 7.7 miliardë dollarë humbje financiare.

Klan Plus