“Dështak, ka ardhur koha ta largojmë”

Edi Ramën e cilësoi dështak, teksa e bëri përgjegjës për situatën e përmbytjeve në vend. Vetëm pak minuta pas konferencës për shtyp të Kryeministrit, Lulzim Basha e akuzoi se po bën propagandë me fatkeqësinë e njerëzve të cilët prej ditësh janë nën pushtetin e ujit.

“Ulen dy orë dhe njeriu që ka 8 vjet kryeministër, 8 vjet përgjegjës për këtë vend, na tregon historikun e rreshjeve në 20 vitet e fundit.  Njerëzit janë përmbytur dhe ky vazhdon t’ju vejë fajin të tjerëve. 8 vite propagandë dhe asnjë punë  për të zgjidhur hallin e njerëzve. Kush i ka pasur të gjitha pushtetet këto 8 vite? Kush ka pasur miliarda euro në duar për të zgjidhur këto probleme në 8 vite? Dhe tani në këtë moment në vend që të mendojë për hallin e këtyre njerëzve që sot, përmbytjes, pandemisë, krizës ekonomike i është shtuar edhe një ditë e acartë edhe paralajmërohet edhe nesër një ditë tjetër e acartë  prapë del pa pikë turpi dhe flet sikur ka ardhur dje në qeveri”.

Ashpër reagoi duke e etiketuar kreun e qeverisë si gënjeshtar.

“Në fakt  gënjen se e di e gjithë Shkodra që ka ditë që nuk bie shi dhe përmbytja ka ardhur nga kaskada. Njerëzit janë nën ujë dhe ky u thotë nuk shihni investimet që kam bërë unë”.

Largimin e Edi Ramës e sheh si të vetmen zgjidhje për të kthyer normalitetin në vend.

“E sotmja ishte një vulë tjetër e fundit e turpit në ikje se si edhe këtë tragjedi të përmbytjes po mundohet ta kthejë në një shfajësim për veten e vet dhe në propagandë të cilën nuk e hanë më askush. Ka ardhur koha ta largojmë”.

Opozita kërkon nga qeveria marrjen e masave të menjëhershme për vlerësimin e dëmeve si dhe dëmshpërmblimin e produktit bujqësor të shkatërruar në zonat e përmbytura.

Tv Klan