Opinion-Ndryshe nga zakonisht kur emisioni “Opinion” i gazetarit Blendi Fevziu trajton ngjarje të ndryshme nga studio, më datë 11.01.2010 ai ishte zhvendosur në terren. Përmbytjet në qytetin e Shkodrës kanë qenë pikërisht tema e emisionit të tij. Qindra hektarë tokë dhe qindra shtëpi u izoluan nga uji pas reshjeve të dendura.

Viti 2010 shënoi përmbytjet e njëpasnjëshme që do të mbesin gjatë në memoriet e shkodranëve dhe gjithë shqiptarëve. Më datën 2 Janar të vitit 2010, hidrocentralet u detyruan të hapnin portat, duke shkaktuar një përmbytje masive në 8 komuna të Nënshkodrës dhe tri lagje të qytetit të Shkodrës. Bilanci i përmbytjes ishte tepër i rëndë, pasi 13 mijë hektarë tokë u përmbytën, mbi 8500 persona u evakuuan dhe mbi 4500 shtëpi u përmbytën.

Në intervistë për emisionin Opinion, ministri i Mbrojtjes në atë periudhë Arben Imami tha se 700 forca ushtarake u përfshinë në operacionet e emergjencave dhe funksiononin si shtab lufte.

“Janë përfshirë 700 forca ushtarake në operacionet e emergjencave. Këto forca funksionojnë si shtab lufte. Ushtria ka evakuuar mijëra njerëz dhe mijëra kafshë”,tha Imami.

Zef Hila kryetar i Komunës së Bushatit në 2010 tha për “Opinion” se qindra familje ishin evakuuar dhe se katet e para të banesave ishin përmbytur.

“Në komunën e Bushatit janë tre fshatra plotësisht të përmbytur. Katet e para të banesave janë thuajse tërësisht të përmbytura. 200 familje janë evakuuar tek të afërmit e tyre. Niveli i ujit sa vjen edhe rritet. Në komunën e Bushatit janë 3 mijë hektarë të përmbytur”,tha Hila.

Kryetari i Komitetit të Emergjencave në atë kohë Lulzim Basha tha se objektivi i parë operacionit, i cili ishte të mos kishte jetë të humbura, ishte realizuar.

“Operacioni po ecën mirë dhe objektivi i parë i tij është i realizuar, nuk ka asnjë jetë të humbur. Bushati sot ka një nivel më të rënduar sepse niveli i ujit vijon të rritet. Popullsia në zonat e përmbytura është në ulje. Shpërndarja e ndihmave është bërë përmes komunave, të cilët ia kanë dorëzuar kryepleqve. Operacionet po ecin me efikasitet. Nuk raportohet për bagëti të mbytura. Ne quajmë sukses të mos humbim jetë njerëzore”,tha Basha.

tvklan.al