76 persona kanë humbur jetën, mijëra janë evakuuar si dhe mbi 40 rezultojnë të zhdukur

Përmbytjet dhe rëshqitjet e tokës të shkaktuara nga cikloni tropikal Seroja në Indonezinë juglindore dhe Timorin Lindor kanë vrarë të paktën 76 njerëz.

Shiu i rrëmbyeshëm shkatërroi një pjesë të shtëpive si dhe tejmbushi digat të cilat aktualisht janë dëmtuar shumë. Zona e prekur është ishulli Flores në Indonezinë lindore.

Më shumë se 40 persona janë ende të zhdukur në Indonezi dhe zyrtarët paralajmërojnë që numri i të vdekurve mund të rritet edhe më shumë. Në Timorin Lindor, i cili ndan ishullin e Timorit me Indonezinë, 21 njerëz humbën jetën nga rrëshqitjet e tokës. Më shumë se 1,500 njerëz u evakuuan. Disa ura u shembën, qindra pemë u rrëzuan dhe bllokuan disa rrugë në Indonezi dhe të paktën një anije u mbyt duke komplikuar operacionet e kërkimit dhe shpëtimit.

Presidenti indonezian Joko Widodo ka shprehur ngushëllimet e tij dhe i nxiti njerëzit të ndjekin këshillat nga zyrtarët gjatë periudhave ekstreme të motit. Cikloni Seroja goditi detin Savu në jugperëndim të ishullit Timor në orët e para të së hënës. Brenda 24 orëve të ardhshme, intensiteti i tij mund të forcohet, duke sjellë akoma më shumë shi dhe erëra të forta.

Rrëshqitjet e tokës dhe përmbytjet nuk janë të rralla në të gjithë arkipelagun indonezian gjatë sezonit të shirave. Në Janar të këtij viti, 40 njerëz humbën jetën kur përmbytjet goditën qytetin Sumedang në Java.