Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë sot se përmbytjet në Kosovë kanë ardhur si pasojë e keqqeverisjes 20-vjeçare. Në një postim në mediat sociale, Kurti shkruan se është alarmuese situata në të cilën gjendet Kosova pas reshjeve të mëdha e përmbytjeve që erdhën pas tyre.

Kreu i LVV shton se “Gjilani, Drenasi, Ferizaji, Fushë-Kosova, Vushtrria, Klina, Malisheva, Lipjani, Prizreni e komuna tjera dhe disa vende në Prishtinë po ashtu janë vërshuar gjatë ditëve të fundit. Dëmtime kanë pasur shumë ferma bujqësore e blegtorale, por edhe katet e para, banesa e lokale tregtare nëpër qytete. Janë dëmtuar edhe automjete e prona të tjera të qytetarëve”.

Më tej ai thotë seshiu ka nxjerrë në pah edhe dështimet e keqqeverisjes 20 vjeçare. Asfaltit me të cilin partitë e vjetra duan të marrin vota, u rishfaq si të ishte një qilim i lagur. Rrugët u prishën prej shembjeve të dheut, e të gjithë pamë se shtresa e asfaltit ishte e hollë dhe mungonin bazamentet siç i kërkon standardi inxhinierik”.

Ai problemin e shikon edhe tek prerja e pyjeve, tek gërryerja e brigjeve të lumenjve dhe të kodrave, duke eliminuar në këtë mënyrë mbrojtjen për këto fenomene natyrore. Në fund ai i bën thirrje dhe Prokurorisë që të nisë hetimet, për ndërtuesit e rrugëve, pronarët e gurthyesve, inspektorët e mbikëqyrësit, por edhe për politikanët që kanë shpallur e kanë marrë vendim për tenderët./tvklan.al