Ministria e Mbrojtjes dhe Agjencia Kombëtare e Emergjencave Civile po monitorojnë nga afër situatën e krijuar nga reshjet e orëve të fundit.

Me kërkesë të bashkisë Shkodër, Forcat e Batalionit të i të Këmbësorisë janë vënë në dispozicion të bashkisë Shkodër për transportin dhe evakuimin në rast nevojë në fshatin Obot të njësisë administrative Ana e Malit.

Aktualisht ka përmbytje të pjesëshme në njësinë Ana e Malit, në fshatin Kuç, ndërsa janë rritur prurjet e lumit Kir dhe Gjadër. Në një pjesë të sipërfaqeve të tokave ka ujë që shkon deri në 30 cm.

Agjencia e Mbrojtjes Civile bën me dije se janë dyfishuar kapacitetet me forca dhe mjete për t’u ardhur në ndihmë sa më shumë banorëve të zonave të prekura. Në njësinë Ana e Malit janë transportuar rreth 75 banorë.

Gjithashtu, trupat dhe mjetet e batalionit të Vaut të Dejës janë vënë në dispozicion edhe të bashkisë Lezhë në zonat ku ka prani të shtuar të ujit.
Të gjithë repartet e Forcave të Armatosura, por sidomos ato të Forcës Tokësore dhe Komandës Mbështetëse janë në gatishmëri të plotë dhe të gatshme për të ndërhyrë në rast nevoje.

Ministria e Mbrojtjes i bën thirrje bashkive të vënë në dispozicion të gjitha burimet për të përballuar situatën në territoret e tyre pasi e kanë detyrim ligjor./tvklan.al