Presidenti Ilir Meta ka kërkuar që strukturat shtetërore të angazhohen për të siguruar që përmbytjet të shkaktojnë sa më pak dëme. Në një postim në mediat sociale, kreu i shtetit deklaron se “shteti duhet të ngrihet në këmbë”, dhe shton se nuk po merret parasysh alarmi nga Institutit të Gjeoshkencës, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit mbi rrezikun e përmbytjeve në vend.

Përmbytjet në vend

Ende sot, asnjë zyrtar i lartë shtetëror nuk ka komunikuar zyrtarisht me popullatën për ta informuar mbi masat e marra për përballimin e kësaj situate të vështirë. Qytetarët meritojnë të informohen me transparencë dhe këtij detyrimi kushtetuese nuk mund t’i shmanget askush!

Sipas të dhënave nga terreni, me qindra hektarë tokë rezultojnë të përmbytura në Qarqet Tiranë, Shkodër, Lezhë, Krujë, Fier, Gjirokastër e Sarandë, dhe vetëm në Durrës, raportohen nga autoritetet mbi 410 hektar tokë nën ujë”, shkruan Meta.

Teksa liston zonat që kanë më shumë probleme nga prurjet e ujit thotë se  kanë dalë në pah dhe abuzimet që janë bërë me investimet për rrjetet kulluese.

Problematika të mëdha janë konstatuar lidhur me mospastrimin e kanaleve kulluese të Ujrave të Larta, si dhe mosvënia në punë me kapacitet të plotë, të të gjithë hidrovorëve. Në akset kryesore rrugore, raportohen rrëshqitje dherash, ndërkohë që prezenca e kompanive me detyrime kontraktore me Autoritetin Rrugor Shqiptar, lë për të dëshiruar”, shton ai.

Më tej ai bën thirrje qeverisë, ministrive përgjegjëse, Prefekturave dhe Bashkive, të marrin menjëherë dhe pa vonesa të justifikuara, të gjitha masat e duhura për të garantuar mbrojtjen e jetës, shëndetit dhe pronave të qytetarëve.

U kujtoj ministrive, që kanë detyrime kushtetuese dhe ligjore për Mbrojtjen Civile, sipas fushave të përgjegjësive, të dëshmojnë përgjegjshmëri dhe angazhim konkret në këtë drejtim.  U bëj thirrje Prefektëve dhe Kryetarëve të Bashkive në zonat me rrezik të shtuar, të mbledhin menjëherë Komisionet e Mbrojtjes Civile dhe të angazhojnë në terren të gjitha strukturat operacionale për minimizimin e pasojave të përmbytjeve”, shkruan Presidenti.

 Në fund ka një thirrje dhe për Prokurorinë dhe i kërkon që të shikojë me vëmendje çdo raste të shpërdorimit të detyrës nga funksionarët publikë./tvklan.al