Përmbytjet nxjerrin në “rrugë” fëmijët me nevoja të veçanta

Posta

Përmbytjet nxjerrin në “rrugë” fëmijët me nevoja të veçanta

16:28 01/10/2019

Pas përmbytjeve dhe tërmetit, qendra publike “Të qëndrojmë së bashku“ është vënë në dispozicion të familjeve të prekura nga këto fenomene dhe fëmijët që frekuentonin këtë qendër duhet të qëndrojnë në shtëpi. Kjo situatë ka krijuar shqetësim për familjet e fëmijëve. 

Lauresha Tola, nënë e një djali që vuan nga sindroma down, solli shqetësimin e saj në Stop. Sipas saj bëhet fjalë për një situatë të përsëritur. Ajo tregon se duhet të punojë, por në të tilla kushte e ka të pamundur, pasi nuk ka se ku ta lerë djalin. 

Lauresha: Unë kam një fëmijë me aftësi ndryshe dhe prej 8 vitesh e çoj tek qendra “Të qëndrojmë së bashku“. Më vjen një telefonatë nga ora 8 e 30 e darkës dhe më thotë që nesër fëmija nuk do të vijë se qendra do kthehet në një qendër pritëse. Jam e shqetësuar sepse ngaqë jam në punë nuk mund ta lë në shtëpi vetëm sepse është i traumatizuar edhe nga tërmeti i fundit.

Gazetarja: Iu dhanë një datë kur mund të riktheheni sërish apo pa asnjë shpjegim?

Lauresha: Jo, jo pa asnjë lloj shpjegimi. Jam ngritur të nesërmen kam lënë punën dhe kam shkuar tek qendra dhe kam bërë debat me punonjësit se më kanë thënë nuk vendosim ne.

Gazetarja: Kjo është një situatë e përsëritur në këtë qendër?

Lauresha: Po sa herë ndodh një fatkeqësi natyrore në Tiranë ne jemi të privuar, duhet ta mbajmë djalin në shtëpi.

Përgjegjësja e qendrës shprehet se ka patur urdhër për shndërrimin e qendrës në vend pritjeje për të prekurit nga tërmeti e përmbytjet, por nuk pranon të thotë se nga i ka ardhur ky urdhër.

Përgjegjësja: Me rastin e tërmeteve të fundit që kanë ndodhur ka njerëz të paralizuar, të strehuar pranë qendrës tonë. U pa e arsyeshme, menjëherë sapo ka rënë tërmeti, është hapur qendra për emergjencë

Gazetarja: Tirana është aq e madhe, ka hapësira, ka stadiume, ka çfarë të duash. Familjet mund të ishin vendosur.

Përgjegjësja: Mendoj që kjo pyetje nuk mund të më bëhet mua.

Gazetarja: Nga e keni marrë urdhrin për të hapur qendrën?

Përgjegjësja: As këtë përgjigje nuk mund ta jap unë.

Gazetarja: Çfarë përgjigje do më japësh?

Përgjegjësja: As këtë përgjigje nuk ua jap unë. Unë jam thjesht zbatuese e politikave sociale.

Gazetarja: Kur do të kthehen fëmijët këtu?

Përgjegjësja: Ne do mundohemi t’i stabilizojmë sa më shpejt. Për momentin kemi 10 persona këtu.

Gazetarja: Ndërkohë kapaciteti mbartës me fëmijë me aftësi ndryshe, sa është?

Përgjegjësja: Atëherë ne kemi 30 fëmijë që vijnë dhe marrin shërbimin ditor të plotë.

Qendra publike për fëmijët me aftësi ndryshe “Të qëndrojmë së bashku“, është në varësi të drejtpërdrejtë nga Bashkia e Tiranës. Pas interesimit të “Stop” tek kjo Bashki, na u tha se qendra më në fund do t’i rikthehet funksionit të saj parësor për fëmijët me nevoja të vecanta./tvklan.al


Reklama
LAJMET

Të ngjashme

Reklama
UKT
UKT

Grupi