Shoferi i autobusit del sot për masë në gjykatë

Përmirësohet gjendja shëndetësore e shumicës e qytetarëve nga Kosova që u plagosen gjatë aksidentit tragjik që ndodhi të dielën në Kroaci.

Autoritetet shëndetësore atje bënë të ditur se mbi 20 prej tyre do të marrin mjekimin në shtëpi, ndërsa në situatë kritike për jetën vijojnë të mbeten vetëm dy persona.

Ndërkohë që shoferi i autobusit, i cili dyshohet se ka shkaktuar aksidentin, do të dalë sot gjatë ditës para gjykatës ku pritet të vendoset për masën e paraburgimit.

Ai edhe gjatë ditës së djeshme është marrë në pyetje në Zyrën e Prokurorit të Shtetit në Kroaci, por vendosi të mbrohet në heshtje. Dyshohet se ky aksident tragjik është shkaktuar pasi shoferin e ka zënë gjumi për një moment dhe më pas autobusi ka dalë jashtë autostradës.

10 persona humbën jetën në aksidentin e së dielës, ndërsa mbi 40 të tjerë u plagosën, pasi autobusi i linjës Frankfurt-Prishtinë doli nga rruga.

Tv Klan