Deri tani rreth 34 mijë persona janë imunizuar me të dyja dozat e vaksinës

Autoritetet e shëndetësisë në Maqedoninë e Veriut duke publikuar një raport javor të ISHP-së, për periudhën nga 10 deri më 16 Maj, njoftojnë se infektimet me COVID-19 në vend janë ulur për 48.3%, kurse rastet që përfundojnë me fatalitet për 38.1%.

Për momentin, sipas MSH-së në Maqedoninë e Veriut, janë 3.270 raste aktive me koronavirus. Sa për ilustrim para një muaji kjo shifër ishte mbi 19.000 raste aktive.

Janë ulur ndjeshëm edhe shifrat e pacientëve të shtruar nëpër covid qendrat e vendit. Për momentin trajtohen 422 pacientë nëpër spitale, kurse autoritetet për shkak të uljes së ndjeshme të presionit ndaj sistemit shëndetësor, kanë vazhduar të mbyllin covid-qendrat në Klinikat e Shkupit dhe spitalet e vendit.

Paralelisht me betejën anti-covid, në Maqedoninë e Veriut zhvillohet edhe imunizimi masiv i popullsisë në Shkup dhe në qendra tjera rajonale të vendit.

Njoftohet se deri tani janë aplikuar afro 220 mijë vaksina, që do të thotë se 186.146 qytetarë kanë marrë dozën e parë të vaksinës, kurse 33.831 të tjerë kanë pranuar të dy dozat.

Me shifrat e fundit, sipas MSH-së, 43% e popullsisë mbi 70 vjeç dhe 33% e atyre mbi 65 vjeç, kanë pranuar të paktën një dozë të vaksinës.

Përkundër rënies së ndjeshme të infektimeve ditore dhe numrit të pacientëve të shtruar nëpër spitale, Qeveria e Maqedonisë së Veriut, ka konfirmuar vendimin e Komisionit për Sëmundje Ngjitëse, që masat aktuale shtrënguese të mbeten në fuqi deri më 1 Qershor.

Kjo nënkupton orën policore nga mesnata deri në 04.00 të mëngjesit, orari I punës së lokaleve të jetë deri 23.30 si dhe mbetet në fuqi mbajtja e obligueshme e maskave mbrojtëse në ambiente të hapura. 

Klan News