Përmiresohet shëndeti i vajzës së Kryeministrit Pandeli Majko, e shtruar në një spital të Athinës prej 10 ditësh. Vetëm tre ditë pas lindjes në një maternitet të Tiranës, zonja Majko bashkë me vajzën e saj është shtruar në maternitetin e kryeqytetit grek, pasi vajza e vogël kishte probleme në frymëmarrje dhe vuante nga një infeksion.

Ambasadori shqiptar ne Athinë, Kastriot Robo tha se tani shëndeti i vajzës së kryeministrit Majko është në përmirësim. Ajo çfarë pritet është përgjigja e analizave dhe pas kësaj zonja Majko bashkë me foshnjen do të kthehen në Shqipëri.

Zonja Majko është shoqëruar nga nëna e bashkëshortit të saj pasi kryeministri Majko nuk ka mundur të shkojë në Athinë të kujdeset për shëndetin e vajzës dhe bashkëshortes së tij.

Megjithatë sipas ambasadorit Robo, ndaj bashkëshortes dhe vajzës së kryeministrit Majko është treguar një kujdes i madh nga mjekët grekë. Gjithashtu edhe mjaft shqiptarë emigrantë janë interesuar për shëndetin e vajzës së Kryeministrit Majko si dhe nuk kanë harruar të mbushin dhomën e tyre me buqeta lulesh./tvklan.al

Gazetar : Eduart Frangaj