Probleme në disa rrugë rurale, 15 mijë banore pa energji
Kështu u zgjua Shqipëria, një ditë pas stuhisë Kiaran që solli reshje të dendura shiu dhe erë të fortë sidomos në ultësirën perëndimore. Pastrimi i rrugëve pas tërheqjes së ujit nisi që në orët e para të mëngjesit.
Edhe pse nuk patën intensitetin e një dite më parë, reshjet nuk munguan as këtë të shtunë. Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku njofton se tashmë situata është normalizuar në pjesën më të madhe të qarqeve.
Në Durrës dhe Vlorë është pezulluar lundrimi i mjeteve të vogla dhe i anijeve të peshkimit. Në Korçë, reshjet intensive të rëna gjatë natës dëmtuan urën e fshatit Panarit në njësinë administrative Vithkuq. Për pasojë u bllokuan rreth 20 familje.
Si pasojë e erës dhe reshjeve të shiut ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë njofton se afro 15 mijë abonentë kanë mbetur pa energji elektrike. Në terren për normalizimin e situatës janë angazhuar 1 100 punonjës dhe ne zonat problematike po punohet për riparimin e defekteve dhe rilidhjen e energjisë.
Emergjencat Civile bëjnë të ditur se deri në orët e darkës nuk ka pasur zgjerim të hartës së zonave të prekura. Ndërsa me vëmendje maksimale po ndiqet situata në qarkun e Dibrës dhe Lezhës, ku për shkak të reshjeve që vijojnë me intensitet të lartë ka bllokime rrugësh.
Probleme ka edhe me furnizimin me ujë të pijshëm në disa fshatra në Pogradec dhe Gjirokastër.
Tv Klan