Brenda dy ditëve negociatat në prapaskenë për një armëpushim të përgjithshëm në Ukrainë kanë dhënë rezultat. Dhe tani Shtetet e Bashkuara thanë se janë optimiste se mund t’i japin fund luftës.

Optimizmi u shpreh së pari nga zëvendëspresidenti amerikan JD Vance. Ai foli në Romë teksa takoi për herë të dytë në 24 orë, kryeministren Giorgia Meloni. Vance takoi Melonin në Uashington të enjten dhe më pas fluturoi me të drejt Romës pasi do të kremtojë Pashkën në Vatikan.

“Dua ta informoj kryeministren, natyrisht në privat, për disa negociata midis Rusisë dhe Ukrainës… edhe në 24 orët e fundit, ne mendojmë se kemi disa zhvillime interesante për të raportuar. Meqenëse ka negociata, unë nuk do t’i paragjykoj ato, por ndihemi optimistë se mund të shpresojmë për ta mbyllur këtë luftë, këtë luftë shumë brutale.”

Edhe zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov konfirmoi njëfarë përparimi për arritjen e paqes, por nënvizoi se kontaktet me Uashingtonin janë të vështira. Ai tha se Rusia po përpiqet të zgjidhë konfliktin duke siguruar interesat e veta.

Të enjten, një delegacion amerikan i përbërë nga sekretari i Shtetit Marco Rubio dhe i dërguari presidencial Steve Witkoff qëndroi një Paris për një takim me zyrtarë të lartë të Ukrainës.

Për t’i bërë presion presidentit Zelensky të pranojë atë që është propozuar, sekretari i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi papritur se presidenti Trump do të largohet nga ndërmjetësimi i marrëveshjes së paqes brenda disa ditësh, nëse palët nuk tregojnë vullnet.

“Pra, nëse ata janë seriozë për paqen, ne duam t’i ndihmojmë. Nëse nuk do të ndodhë, atëherë ne thjesht do të largohemi.”

Rubio foli teksa largohej nga Parisi ku takoi udhëheqësit europianë dhe ukrainas. Në këto takime Rubio përsëriti se presidenti Donald Trump është ende i interesuar për një marrëveshje, por ka edhe shumë prioritete të tjera në mbarë botën.

Tre burime diplomatike europiane i thanë agjencisë Reuters se komentet e Rubio-s, që tani përkojnë me shenjat e njëfarë progresi në bisedimet e SHBA-së me Ukrainën, pasqyrojnë rritjen e zhgënjimit në Shtëpinë e Bardhë për refuzimin e Rusisë për t’i dhënë fund luftës.

Klan News