Nga “Ali Demi”, Anxhela dhe Arditi shkuan drejt e në studion e “Ka Një Mesazh Për Ty” për t’ia dhënë këtë të fundit Marsit dhe Ledionit. Çifti humanitar ka ndihmuar Anxhelën dhe familjen e saj prej muajsh në një përpjekje për t’i nxjerrë nga skamja dhe për t’i dhënë mundësi. Kjo është arsyeja pse Anxhela i ka thirrur  në këtë pjesë të programit “E diela shqiptare në Tv Klan, por Marsi nuk është shumë e lumtur. Ajo nis të sqarojë këndvështrimin e saj mbi rrethanat e vështira të Anxhelës dhe cila do ishte vërtet shpërblim për ata të dy.

Marsi: E para sepse nuk është thjesht një çështje humanitare dhe unë do kisha preferuar shumë, shumë që surprizën Anxhela të ma kishte bërë në një mënyrë tjetër. Anxhela e di shumë mirë se cilat janë pritshmëritë e mia, ndonjëherë jam edhe e rreptë me të. Për mua është shpërblimi më i madh për një akt të tillë, është ndryshimi që shikon tek personi që ti do, tek familja që ti do. Në qoftë se personat që përfshihen, kjo mundësi që Zoti ua jep, e marrin, e përqafojnë, por jo thjesht e përdorin tani dhe pastaj nuk bëjnë asgjë, prandaj zgjedhja është gjithmonë atje.

Zoti ta ka dhënë mundësinë, por ti duhet të fillosh pastaj të ndryshosh dhe ta përqafosh atë ndryshimin sepse jo çdo mundësi të jepet për një afat kohe pa limit. Ndryshimi fillon në zemër dhe në mendje, në qoftë se nuk ndryshohen ca mendësi, është e pamundur që të ecësh përpara dhe atëherë mua do më vinte vërtet keq dhe do ta quaja, në thonjëza, investim i humbur sepse investimi nuk është thjesht pjesa monetare që bën dikush apo nuk  e di, se çove diku ushqim apo…por është vërtet ai investimi emocional.

Anxhela: Nuk dija si t’jua shpërbleja dhe doja t’ju sillja këtu që t’ju bëja një surprizë të tillë sepse nuk kisha mënyrë tjetër t’jua shpërbleja. Kërkoj një falenderim shumë, shumë të madh nga ju për gjithçka që keni bërë për familjen time. Familja ime nuk ka që t’jua shpërblejë, por Zoti jua shpërbleftë familjarisht dhe nuk di çfarë të them, edhe prindërit t’i kisha gjallë, gjithë këtë barrë që ju më keni ndihmuar aq shumë, edhe prindërit e mi nuk do ma kishin bërë këtë gjë.

Ardit Gjebrea: Po Marsi nuk është shumë e gëzuar.

Anxhela: Më fal, edhe pse nuk je e gëzuar, domethënë edhe çfarë kemi bërë këto kohët e fundit që kemi prerë marrëdhëniet, unë prapë ta di për faleminderit, edhe pse më paguan qeranë, dritat dhe ujin.

Ledion: Ne e bëjmë për një gjë pak më të madhe. Ne duam që fëmijët e Anxhelës të kenë një mundësi të re, bashkë me Anxhelën, bashkëshortin e saj patjetër, por fëmijët kryesisht. Është shumë e rëndësishme për ne që fëmijët të ndjekin shkollën, mund të bëjnë një arsim profesional nëse duan, i kemi parë që fëmijët janë shumë të dashur, shumë të zgjuar, shumë punëtorë.

Le të themi që koha që ne kalojmë me Marsin dhe impenjimi që ne kemi ndaj tyre ka qenë pikërisht për këtë arsye, për t’i dhënë fëmijëve një mundësi. I kemi konsideruar si fëmijët tanë në njëfarë mënyre, i kemi si miq edhe kur i prezantojmë me të tjerët, i prezantojmë si miq sepse duam të ndihen si të tillë, mos të ndihen si një familje që po i ndihmon dikush, por që ka mundësi të barabarta si çdo familje tjetër./tvklan.al