Megjithëse Uashingtoni është qendra e pushtetit politik në vend, banorët e tij nuk kanë të drejtë vote në Kongres dhe as të veteqeverisen, për shkak të statusit të tij të veçantë si njësi e varur nga qeveria federale. Por përkrahësit e iniciativës për ta bërë Uashingtonin shtet, thonë se aktualisht shohin më shumë potencial se kurrë për ta arritur këtë qëllim. Korrespondentja e “Zërit të Amerikës” Carol Guensburg njofton.

Kur protestuesit sulmuan Kapitolin në një përpjekje të dështuar për të bllokuar Kongresin që të çertifikonte fitoren në zgjedhjet presidenciale të demokratit Joe Biden, Kryetarja e Bashkisë së Uashingtonit Muriel Bowser nuk gëzonte autoritetin për të thirrur Gardën Kombëtare në ndihmë të policisë. Ngjarja i ka dhënë vrull përpjekjeve të gjata që kryeqyteti i vendit të bëhet shtet.

Jam e shqetësuar që 706,000 banorët e Uashingtonit nuk kishin mundësi të hidhnin qoftë dhe një vote të vetme dje në Kongres, pavarësisht nga fakti që njerëzit tanë vunë jetën e tyre në rrezik për të mbrojtur demokracinë“, tha Kryetarja e Bashkisë një ditë pas ngjarjes.

Kryeqytetit i mungon autonomia lokale. Në ndryshim nga shtetet e tjera, buxheti dhe ligjet lokale, janë në varësi të miratimit nga Kongresi.

Banorët e kryeqytetit paguajnë taksa federale, por nuk kanë një përfaqësues në Kongres që të votojë në emër të tyre.

Eleanor Holmes Norton e ka përkrahur çështjen e shtetësisë për Uashingtonin prej tre dekadash, si delegate e qarkut në Dhomën e Përfaqësuesve, pa të drejtë vote.

Shtetet e Bashkuara janë i vetmi vend ku banorëve të kryeqytetit të tyre u mohohet e njëjta e drejtë që gëzojnë të gjithë të tjerët“, thotë ajo.

Zonja Norton prezantoi një ligj, që u miratua nga Dhoma e Përfaqësuesve vitin e kaluar, i cili do të tkurrte qarkun federal në rreth 5 kilometra katrorë duke përfshirë Kapitolin, Shtëpinë e Bardhë, ndërtesat e tjera kryesore qeveritare si dhe monumentet. Pjesa tjetër prej rreth 170 kilometrash katrorë do të bëhej një shtet i ri.

Legjislacioni u riprezantua në janar dhe gëzon edhe më shumë mbështetës.

Ajo që është e rëndësishme është që ne të kemi mbështetjen e presidentit të ri të Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, sikurse mbështetjen e udhëheqësve të Senatit dhe Dhomës së Përfaqësuesve. Kjo është një treshe e fortë”, thotë Eleanor Holmes Norton, Delegate e Uashingtonit në Kongres.

Por republikanët e Kongresit e kundërshtojnë çështjen e shtetësinë. Për shkak se votuesit e këtij qarku mbështesin në shumicë dërrmuese demokratët kjo do të nënkuptonte dy demokratë të tjerë në një Senat tashmë të ndarë në mënyrë të barabartë mes dy partive.

Ligjvënësi republikan Dusty Johnson thotë se banorët e Uashingtonit meritojnë të përfaqësohen, por jo si një shtet i veçantë. Ligji që ai propozon do ta bënte pjesën më të madhe të qarkut, pjesë të shtetit fqinj, atij të Marilendit, por pa shtuar vende në Dhomën e Përfaqësuesve apo Senat.

Nëse ajo që banorët e Uashingtonit duan vërtet është e drejta e votës, nëse ajo që ata duan është një zë në Senatin amerikan, plani im ua jep këtë gjë. Në 200 vitet e fundit, çdo shtet që është shndërruar në një të tillë ka pasur ose gjashtë milionë banorë ose një sipërfaqe prej rreth 25 mijë kilometrash katrorë… Uashingtoni nuk plotëson asnjërën nga këto”, thotë ligjvënësi republikan Dusty Johnson.

Por bashkimi me një shtet tjetër nuk është i pranueshëm për farmacistin nga Uashingtoni, Oye Owowela.

Ne nuk duam të jemi banorë të Marilendit. Ne duam të jemi banorë të Uashingtonit. Duam të kemi zërin tonë. Duam të jemi shteti i 51-të, jo të përvetësohemi nga një shtet tjetër”, thotë ai.

Zoti Owowela u zgjodh vjeshtën e kaluar si delegat rezervë në Dhomën e Përfaqësuesve. Ai ka lindur në Shtetet e Bashkuara nga prindër nigerianë, një vend ku banorët e rajonit federal të kryeqytetit kanë përfaqësues me të drejtë vote në organin legjislativ.

Avokati Paul Strauss është një nga dy senatorët e ashtuquajtur në “hije” të qarkut të Uashigtonit, sërish pa të drejtë vote. Ai liston disa nga qëllimet e punës së tij.

Të arsimojmë si amerikanët ashtu edhe botën lidhur me rëndësinë e shtetësisë për Uashingtonin e të sigurohemi që Shtetet e Bashkuara të ngrihet në nivelin e idealeve që predikojnë në të gjithë botën“, thotë ai.

Një komision i Dhomës së Përfaqësuesve pritet të shqyrtojë ligjin e zonjës Norton këtë muaj. Ndërsa ligji mund të miratohet në këtë dhomë të kontrolluar nga demokratët, nuk ka shumë të ngjarë që e njëjta gjë të ndodhë në Senat, ku demokratët gëzojnë kontrollin me një diferencë të vogël./VOA