Keith Kellogg, i dërguari special i Presidentit amerikan Donald Trump për Ukrainën, mbërriti në Kiev si pjesë e përpjekjes së Uashingtonit për t’i dhënë fund luftës në shkallë të gjerë të Rusisë.

Pas mbërritjes së tij, zyrtari amerikan tha se misioni i tij ishte kryesisht të “dëgjonte” shqetësimet e Ukrainës dhe t’ia transmetonte Shtëpisë së Bardhë.

“Ne e kuptojmë nevojën për garanci sigurie, e kuptojmë rëndësinë e sovranitetit të këtij kombi. Një pjesë e misionit tim është të ulem dhe të dëgjoj dhe të shoh se cilat janë shqetësimet tuaja”, tha Kellogg.

Vizita tre-ditore e Kellogg mund të përfshijë një inspektim të linjave të frontit. Kellogg po viziton Kievin menjëherë pasi delegacionet amerikane dhe ruse zhvilluan bisedime për përfundimin e luftës në Arabinë Saudite pa pjesëmarrjen e Ukrainës.

Më herët, Kellog vizitoi Varshavën ku u takua me Presidentin polak Andrzej Duda.

Klan News