Një stuhi rëre është bërë shkak për dy aksidente zinxhir me 19 makina që janë përplasur në të njëjtin vend në Autostradën Konya-Ankara, duke lënë të paktën 17 të plagosur, 2 prej të cilëve rëndë.

Sipas agjencisë së lajmeve “DHA”, në momentin që janë përballur papritur me një stuhi rëre, shoferët kanë frenuar duke shkaktuar aksidente zinxhir në të dy drejtimet e autostradës.

Sipas medias turke 10 makina që shkonin në Konya dhe 9 makina që shkonin në kryeqytetin turk, Ankara, janë përplasur në të njëjtin vend duke shkaktuar plagosjen e 17 personave, mes të cilëve edhe fëmijë.

Në vendngjarje mbërritën menjëherë zjarrfikësit dhe ekipet e ndihmës së shpejtë, të cilët dërguan në spitalet më të afërta të plagosurit.

Gokhan Sarikaya, një prej shoferëve të përfshirë në aksident tha se “një stuhi rëre vinte përballë. Në këtë moment makina përpara frenoi duke u përplasur me kamionin dhe kështu me radhë.”

Ndërsa një tjetër dëshmitar okular tha se papritur u përballën me një stuhi rëre. “Askush nuk shikonte askënd. Edhe aksidenti në krahun tjetër të rrugës ndodhi në të njëjtin moment.”/tvklan