Të paktën 28 persona humbën jetën nga përplasja e dy furgonave në Iran, ndërsa 21 të tjerë mbetën të plagosur.

Sipas asaj që shkruan BBC, viktimat janë shtetas afganë. Dy furgonat u përplasën me njëri-tjetrin pranë qytezës së Khash, në juglindje të provincës së Sistan dhe Baluchistan.

Kjo zonë përdoret zakonisht nga trafikantët, të cilët transportojnë emigrantë të jashtëligjshëm nga kufiri afgan, shpesh në kushte të mjerueshme.

Irani është një prej vendeve me vdekshmërinë më të lartë sa i përket aksidenteve rrugore, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Në Maj të këtij viti, 8 persona humbën jetën kur një autobus që transportonte 44 persona u përmbys në autostradën Qom-Teheran. Ngjarja në fjalë erdhi pasi shoferin e zuri gjumi në timon./tvklan.al