Një person ka humbur jetën dhe 2 të tjerë janë plagosur pasditen e së enjtes në Shkodër, pasi 3 makina u përplasën në Krye-Bushat.

Sipas policisë, rreth orës 17:45, në aksin rrugor Shkodër –Lezhë, janë përplasur makinat Benz (AA 802 JA), Peugeot (AA 019 FF) dhe Opel (AA 332 EK).

Në aksident u plagosën 3 personat që po udhëtonin me mjetin tip Benz. Drejtuesi i mjetit, L. M. 62 vjeç, humbi jetën pasi mbërriti në Spitalin Rajonal të Shkodrës, ndërsa 2 pasagjeret, D. M. 57 vjeçe dhe K. M. 25 vjeçe, ndodhen nën kujdesin e mjekëve.

Drejtuesit e 2 mjeteve të tjera u shoqëruan në ambientet e Komisariatit të Policisë Shkodër për veprime të mëtejshme. Në vendngjarje ndodhet grupi hetimor, i cili po punon për sqarimin e rrethanave të aksidentit./tvklan.al