Një prej shoferëve ishte i dehur

1 person humbi jetën ndërsa 7 të tjerë mbetën të plagosur këtë të enjte në Fier, si pasojë e një aksidenti automobilistik. Ngjarja ndodhi rreth orës 16:35, në fshatin Zharrëz. Sipas policisë, në aksident u përfshinë 3 automjete. Viktimë mbeti një 44-vjeçar, shofer i një prej makinave. Ndërsa të plagosur mbetën pasagjerët që ndodheshin në dy automjetet e tjera.

“Konkretisht është përplasur automjeti tip Benz me drejtues shtetasin M.P., 40 vjeç, banues në Vidhisht, automjeti tip Fiat me drejtuese shtetasen H.U., 21 vjeçe, banuese në Fier dhe automjeti tip Opel me drejtues shtetasin N.M, 44 vjeç, banues në Berat. Si pasojë e përplasjes ka ndërruar jetë drejtuesi i automjetit tip Opel, shtetasi N.M., ka mbetur i dëmtuar shtetasi T.Gj dhe shtetasja S.L (pasagjerë në mjetin tip Opel) dhe shtetaset Z.G., 73 vjeçe; T.G.,  46 vjeçe; H.U., 21 vjeçe; E.U., 25 vjeçe;  S.L., (pasagjere në automjetin tip Fiat) të cilat ndodhen në Spitalin Rajonal Fier nën kujdesin e mjekëve”, thotë policia në njoftimin e saj për mediat.

Po sipas burimeve zyrtare, një prej shoferëve të makinave që u përfshinë në aksident, 40-vjeçari me iniciale M.P, dyshohet se ishte në gjendje të dehur. Ai u shoqërua në komisariat, ndërsa grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e plotë të saj./tvklan.al