Gjashtë persona u plagosën nga një përplasje e dy autobusëve të dy linjave të ndryshme në afërsi të Kthesës së Kamzës në Tiranë.

Drejtuesi i një prej autobusëve sipas policisë ishte në gjendje të dehur. Policia nuk dha detaje të mëtejshme duke argumentuar se çështja është ende në verifikim e sipër.

Deri në përcaktimin e saktë të rrethanave të aksidentit, policia rrugore e Tiranës vendosi të ndalojë dy drejtuesit e mjeteve.

Ngjarja ndodhi rreth orës 08:10, kur dy autobusët e linjës Tiranë – Kamëz dhe Kodër- Kamëz- Uzina Traktori, u përplasën me njëri- tjetrin.

Autobusi me targa AA628 GC, me drejtues Kristo Agollin, 43 vjeç dhe ai i drejtuar nga Saimir Rama 40 vjeç, janë përplasur pranë një prej stacioneve të kësaj zone.

Nga përplasja gjashtë pasagjerë u plagosën. Ata u dërguan për ndihmë mjekësore në spitalin e Traumës.

Nga hetimet e para sipas policisë, një prej shoferëve ishte në gjendje të dehur, ndërsa po merren edhe deklarimet e personave të dëmtuar dhe dëshmitarëve në vendin e ngjarjes.

Tv Klan