Në cilësinë e aksionerit të klubit Tirana, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj paditi në prokurori sekretarin e përgjithshëm të federatës së futbollit Ilir Shulku dhe sekretarin e përgjithshëm të shoqatës rajonale të futbollit tiranë me akuzën për Falsifikim të dokumenteve dhe shpërdorim detyre.

Akuzat vijnë pas zgjedhjeve për kryetarin e ri të Shoqatës së Futbollit Tirana të cilat u mbajtën një ditë më parë në ambientet e FSHF. Kryetari i bashkisë, ritheksoi qëndrimin e tij duke u shprehur ashpër në atë që duket si një mesazh ndaj Federatës së futbollit.

“Pavarësia dhe paprekshmëria janë dy gjëra të ndryshme; mund të jesh i pavarur, por nuk je i paprekshëm. Dhe meqë FIFA dhe UEFA janë në Zvicër, leksioni më i madh në fakt na vjen nga Zvicra, ku fakti që ruhet sekreti bankar, të dhënat personale, që respekton të drejtat e njeriut, nuk nënkupton se njerëzit janë të paprekshëm, qofshin këta edhe vipat e futbollit”.

Në asamblenë për kryetarin e shoqatës së futbollit Tirana, kandidati Eduart Prodani u largua nga salla duke akuzuar për shtim të numrit të delegatëve në mënyrë fiktive nga ana e FSHF.

Ndërsa i zgjedhuri Krenar Alimehmeti, premtoi se do të bëjë më të mirën e tij në detyrën e re

Në mesin e përplasjes me bashkinë, Federata e futbollit publikoi një regjistrim audio të një mbledhjeje të kryetarit Erion Veliaj me shoqatat e futbollit në kryeqytet. sipas FSHF kjo ishte ndërhyrje e drejtpërdrejtë e politikës në çështjet e futbollit. Ndërsa sipas bashkisë gjithçka bëhej për ti dhënë zë shoqatave të papërfaqësuara sportive të kryeqytetit

Zgjedhjet për presidentin e federatës zhvillohen me 2 Mars. Deri tani nuk është zyrtarizuar asnjë kandidaturë. Ndërsa presidenti Armand Duka la të kuptohet mbrëmë në emisionin “Opinion” se ai do të kërkojë të konfirmohet sërish në këtë detyrë. 

Tv Klan