Italia dhe BE përplasen sërish, veçse këtë herë mollë sherri nuk është kriza e emigrantëve, por buxheti i planifikuar nga qeveria për vitin 2019. Shkak u bë kritika e fortë e bërë nga Brukseli për strategjinë ekonomiko-financiare të Romës zyrtare që shqetëson Komisionin Europian.

Por për dy zv/ kryeministrat italianë dhe aleatë të koalicionit qeverisës, Luigi di Maio dhe Mateo Salvini, nota negative e ardhur nga Brukseli është “fjala e fundit e një Europe humbëse”.

“Kjo Europë pas 6 muajsh do të marrë fund. Pas 6 muajsh do të jenë zgjedhjet europiane dhe si pati një tërmet politik më 4 mars në Itali, do të ketë një tërmet politik në zgjedhjet europiane të majit”.

Në të njëjtën linjë me aleatin e tij politik, edhe zv/kryeministri Salvini nuk duket i shqetësuar, pasi siç thotë ai, zyrtarët europianë do të pushohen nga puna pas 6 muajsh.

Por presidenti i Komisionit Europian Jean-Claude Juncker, ftoi qeverinë italiane të ndryshojë qëndrim, pasi situata është tejet e vështirë.

Megjithatë Roma dhe Brukseli duken larg gjetjes së një ujdie, pasi Komisioni Europian kërkon ulje të deficitit 2.4% të Italisë çka parashikon prekje të shpenzimeve. Por dy partitë e koalicionit, Lega Nord dhe Lëvizja 5 Yjet e kundërshtojnë këtë udhëzim dhe mbrojnë paketën financiare pasi ajo ka marrë votëbesimin e popullit.

Tv Klan