Konflikt për pazaret e drogës

Të shtëna dhe qytetarë të alarmuar! Janë këto pamjet që përfshinë kryeqytetin grek disa minuta pas përplasjes mes 2 grupeve kriminale shqiptare, që çoi në vrasjen e 3 personave dhe plagosjen e 2 të tjerëve. Gjithçka nisi rreth orës 21 e 30 minuta të së shtunës, teksa sqarimi për mosmarrëveshjet mes anëtarëve të dy bandave shqiptare përfundoi në një masakër të vërtetë.

Sipas mediave greke 48-vjeçari që shihni në këtë foto dhe i identifikuar si Adil Tefa, ka qenë duke udhëtuar me një makinë tip Mercedez Benz që drejtohej nga një grua 43-vjeçare, kur është ndalur nga një person që udhëtonte me një motor. I gjendur në pritë 48-vjeçari nxori armën dhe qëlloi në drejtim të tij.  

Në këtë moment nga një makinë që shoqëronte motorin ka dalë një person tjetër dhe 48-vjeçari i është përgjigjur sërish me të shtëna armësh duke vrarë një prej pasagjerëve që ndodheshin në këtë mjet.

Pas aktit ai ka tentuar të largohet nga vendngjarja, duke marrë nën kërcënimin e armës një makine tip Toyota nga një qytetar grek. Ndërkohë që gruaja 43-vjeçare ka tentuar të largohet me shpejtësi dhe duke marrë zvarrë 23-vjeçarin që ishte plagosur me armë zjarri.

Mediat greke shkruajnë se Tefa ka grabitur me armë një pikë karburanti dhe më pas një kafene. Policia i ka bërë thirrje të dorëzohet, por ai ka qëlluar drejt tyre duke plagosur 2 prej tyre. Oficerët e policisë i janë kundërpërgjigjur zjarrit duke e qëlluar 48-vjeçarin për vdekje.

Në mesditë, Policia greke njoftoi zyrtarisht se kishte arrestuar gruan 43-vjeçare dhe vijon me marrjen në pyetje të 5 personave të tjerë për ngjarjen. Ndërkohë 3 viktimat ishin të moshave, 23, 46 dhe 48 vjeç.

Përplasjet për drogën mes grupeve kriminale me përbërje shqiptare në Greqi, sipas mediave vendase u bë shkak për ngjarjen e orëve të vona të së shtunës. Policia tha se 48-vjeçari akuzohej nga grupi me të cilin u përplas si përgjegjës për arrestimin e një prej anëtarëve të bandës, disa muaj më parë për çështje droge.

Tv Klan