Presidenti Meta dhe kryeministri Rama kanë replikuar sërish në distancë. Së pari ishte presidenti që me një shkrim në rrjetin e tij social facebook i konsideroi gënjeshtra që orkestrohen nga kryeoligarkia deklaratat se ai, natën skutave po zhvillon takime elektorale në mbështetje të ish partisë së tij LSI.

“Referendumi i 25 Prillit do të përmbysë me votë plebishitare klikën oligarkike, që rrjep dhe mashtron shqiptarët prej kohësh. Tmerri i tyre është angazhimi publik në mbrojtje të Kushtetutës dhe votës së lirë. Kot lodhen me shpifje, shantazhe, frikësime, gjoba arbitrare, fabrikime sondazhesh të gënjeshtra për të demoralizuar qytetarët të votojnë apo me blerje “opozitarësh”, që kurrë nuk kanë mbrojtur interesin publik e kombëtar por që mendojnë vetëm për “përsheshin” e radhës. Presidenti ka vetëm një votë, si çdo qytetar i këtij vendi dhe do të votojë kundër oligarkisë, që ka nëpërkëmbur Kushtetutën, ligjet dhe të drejtat e njeriut dhe që po mban peng të ardhmen europiane të vendit,” ka shkruar Meta.

Nuk ka vonuar replika e kryeministrit Rama qe e ka konsideruar Metën si një person që ka humbur marrëdhënien me trutë e kokës dhe po bën fushatë ilegale për LSI-në.

“Nuk ka nevojë për komente, është në sytë e të gjithëve. Meta nuk është në lartësinë e detyrës që i ngarkon kushtetuta, por është nën çdo nivel të justifikueshëm edhe për një person që ka humbur marrëdhënien me trutë e kokës, një president që bën propagandë kundër qeverisë, që flet me një gjuhë rruge, që lëviz ditën e natën për qëllime elektorale, që e ka vënë Presidencën në dispozicion të LSI dhe që çdo ditë humbet nivel në raport me detyrën nuk ka nevojë ta komentojë unë, se të gjithë e shohin dhe e ndjejnë dhe të gjithë do e dënojnë në 25 prill,” janë fjalët e Ramës.

Klan News