“Sjellje kriminale për të fshehur aferën e 40 mln Eurove”

Nga Spitali i Traumës ku pa nga afër banorët e lënduar që u plagosën gjatë përplasjes me policinë në zonën e Astirit, Lulzim Basha akuzoi kryeministrin Rama për dhunë të planifikuar ndaj qytetarëve. Sipas kreut të opozitës, ky skenar ka për qëllim fshehjen e aferës 40 milionë Euro të projektit të Unazës së Re.

“Ata janë dhunuar në mënyrë më barbare. Gra të alivanosura nga përdorimi genocidal i gazit lotësjellës. Janë një numër i madh banorësh të traumatizuar. Janë plagosur edhe 5 efektivë të policisë të cilët janë larguar nga spitali pasi kanë marrë ndihmën e parë. Ky është një bilanc i një goditje të planifikuar nga Edi Rama ndaj qytetarëve të pafajshëm. Ky është një skenar i përgatiturr me kujdes që ka një qëllim, të çonte drejt përgjakjes së qytetarëve, të çonte drejt konfrontimit me forcat e rendit për të fshehur vjedhjen e madhe që kanë planifikuar në projektin e Unazës së Re. Nuk bëhet fjalë për një projekt zhvillimi. Ishte një projekt vjedhje. Edi Rama është i vendosur ta çojë këtë vjedhje deri në fund. Ky është një akti kriminal kundër jetës së qytetarëve, kundër banesave të tyre. Urdhëruesit do të përgjigjen mbi këtë dhunë barbare me forcën e ligjit”.

Me premtimin se pas ardhjes së demokratëve në pushtet banorët e Astirit do të kompensohen me vlerën e tregut, kreu i opozitës paralajmëroi vënien përpara ligjit të përgjegjësve të këtyre akteve.

“Kështu, që së pari duke e thënë mjaft qartë se duke dënuar me ashpërsinë më të madhe këtë sjellje kriminale paralajmëroi gjithsecilin përgjegjës për këtë nga urdhëruesit që qartësisht është Edi Rama, është Erjon Veliaj, janë ekzekutorët dhe do të  mbajnë përgjegjësi para ligjit. Dita nuk do të vonojë dhe ju jap fjalën që nuk do të mungojë kur ata të përgjigjen para ligjit për këtë dhunë barbare mbi qytetarët, mbi nënat, mbi baballarët, mbi fëmijët e tyre, me të vetmin qëllim për të mbushur xhepat e tyre me 40 milionë eurot e korrupsionit. Çdo centimetër katror i pronës së tyre do të kompensohet me vlerën e tregut, me ardhjen e PD në pushtet. Asnjë qindarkë nuk do të humbasë, çdo cm katror i shtëpive, banesave dhe objekteve të tyre edhe atyre të përjashtuara në mënyrë kriminale nga kompensimi, do të kompensohen me vlerën e tregut”.

Basha tha se opozita do të jetë në mbrojtje të ligjit e Kushtetutës dhe interesit publik të banorëve të Astirit.

Tv Klan