Kryeministri Edi Rama dhe kreytari i PD-së, Lulzim Basha, kanë zhvilluar një vizitë në të njëjtën kohë në Elbasan me rastin e Ditës së Verës.  Kjo është bërë shkak për përplasje mes disa personave aty ku ishin mbledhur simpatizantët e Partisë Demokratike.

Ndërkohë, kryedemokrati Lulzim Basha tha gjatë prononcimit për gazetarët se kryeministri u shoqërua nga banditë me pistoleta me vete. Mbërritjen në të njëjtën kohë me kreun e qeverisë në Elbasan, Basha e konsideron si provokim nga ana e Ramës.

“Më thanë që pati një incident. Unë do vazhdoj me axhendën time dhe nuk do ndaloj. Nuk ndjekim axhendën e dhunës. E kemi ditë feste me qytetarinë e Elbasanit. Unë nuk mund të ndalem sepse Shqipëria dhe Elbasani janë ndaluar mjaftueshëm këto 8 vite. Është ditë feste, është ditë shprese. Është dita kur dielli vazhdon të shndrisë dhe do të shndrisë më shumë pas 25 Prillit, kur të bëhemi të gjithë bashkë për ndryshimin. Për një kohë shumë të gjatë ky qytet është mbajtur në vend numëro pikërisht nga ushtruesit e dhunës sot, nga bandat dhe banditët e Elbasanit që njihen me emër dhe mbiemër. Ky qytet është mbajtur peng nga bandat që shoqëronin kryeministrin në ikje me pistoletë në brez.

Unë kam qenë deputet i qytetit të Elbasanit dhe e di që ata nuk e duan dhunën dhe mezi presin ditën e ndryshimit. I them kryeministrit mos guxo të kërcënosh qytetarët e Elbasanit me banditët që të rrethonin me armët e paligjshme në brez. 14 Marsi është dita e luleve kur vera dhe pranvera e mposht dimrin Të bëhemi bashke për ndryshimin që duan të gjithë qytetarët e Elbasanit. Thirrja ime është kundër dhunës dhe kundër provokimeve të dhunës. Nuk ka shans që Edi Rama dhe bandat e tij të mbajnë peng Elbasanin. Ju uroj nga zemra gëzuar ditën e Verës. Unë e kisha planifikuar në orën 10. Nuk e dija që edhe kryeministri kishte të njëjtin orar. Turpi qëndron në provokimin dhe ardhjen në qytet në shoqërinë e bandave. Unë jam shoqëruar nga familjet e vjetra të Elbasanit, intelektualët e Elbasanit, ky është modeli im ky është modeli i PD-së. Rama shoqërohej nga bandat”, tha Basha. /tvklan.al