Lajme Arkiva – TV Klan 2000

Dy persona të vdekur dhe rreth 20 të plagosur. Ky është bilanci i përplasjes mes policisë dhe disa qytetarëve të Tropojës dje. Sot konfirmohet se shtetasit Syl Luzhaj dhe Hasan Dushi, janë dy personat e vdekur në hyrje të komisariatit të policisë. Ndërkohë mes të plagosurve është edhe vëllai i Dushit, i cili po kurohet në spitalin ushtarak në Tiranë.

Vetëm një polic, efektiv i forcave të ndërhyrjes së shpejt të Kukësit është plagosur në këmbë dhe aktualisht po kurohet brenda komisariatit. Sipas Ministrisë së Rendit, forcat e policisë së Tropojës, janë detyruar të kundërpërgjigjen me zjarr goditjeve të ardhura nga turma e protestuesve, ku si pasojë e goditjeve është mësuar më vonë se janë vrarë dy shtetas.

Ndërkohë selia e PD insiston, që ka qenë policia, që i ka provokuar më parë protestuesit. Sot dy të rinjtë që sapo kishin mbushur të 20-tat, janë përcjellë për në banesën e fundit./tvklan.al

Gazetar – Eduart Frangaj