Tifozët shkaktuan dëmtime në qytet, 3 të lënduar

Dy të rinj janë vënë në prangat e policisë së Elbasanit, ndërsa 14 persona të tjerë po hetohen në gjendje të lirë pas trazirave që ndodhën mbrëmjen së enjtes përpara derbit Tirana-Partizani.

Policia ka arrestuar 28-vjeçarin Stiven Vojka dhe Kevi Beqiraj, 19 vjeç, të dy banues në Tiranë. Sipas uniformave blu, ata u  ndaluan pas sherrit masiv që ndodhi në lagjen “Luigj Gurakuqi” dhe bulevardin “Aqif Pasha” ku mbetën të plagosur edhe tre persona.

Dëmtimit nuk i shpëtuan as bizneset që ndodhen pranë stadiumit “Elbasan Arena”, ku u thyen xhamat e lokaleve dhe u dëmtuan edhe tavolinat dhe karriget.

Grupimet e të dyja skuadrave kanë qëlluar drejt njëri-tjetrit me gurë dhe flakadanë, ndërsa nuk kanë munguar edhe përleshjet fizike mes tyre. Nga përplasjet 3 persona mbetën të lënduar.

Gjithçka nisi vetëm pak minuta para se të fillonte ndeshja për javën e 15 të Superligës që u zhvillua në stadiumin Elbasan Arena mes Tiranës dhe Partizanit.

Tv Klan