Tre ditë pas denoncimit të Partisë Demokratike se votimet në Vaun e Dejës u bënë me fletë votimi të falsifikuara, reagoi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Dokumentin që selia blu e paraqiti si dëshmi të faktit se fletët e votimit të ardhura nga Sllovenia ndodheshin ende në doganën e Hanit të Hotit paraditen e 30 Qershorit, KQZ e lidh me faktin se sistemi elektronik nuk ishte ne funksion, dhe për këtë arsye procesverbali i mbajtur me shkrim dore ishte pasqyruar më vonë në sistem.

Kjo procedurë ka përfunduar në orën 02:15 të mëngjesit, të datës 30.06.2019 dhe fletët e votimit janë dërguar në KZAZ-në nr. 06, e cila ka nisur shpërndarjen e fletëve të votimit për 53 qendrat e votimit të Vaut të Dejës. Pas marrjes së dakordësisë së eprorëve të tyre dhe në zbatim të Kodit Doganor për procedurat e thjeshtuara, është aplikuar procedura e deklarimit të thjeshtuar dhe me rregullimin e sistemit do të hartohej dhe deklarata doganore.”

Por Partia Demokratike u përgjigj duke thënë se janë vetë dokumentet e doganës që nxjerrin zbuluar KQZ-në.

“Alibia qesharake e KQZ-së se natën e ardhjes së fletëve të votimit nuk ka punuar sistemi doganor, rrëzohet nga dokumenti zyrtar i dalë nga vetë sistemi i doganave, ku shkruhet se fletët e votimit në orën 8 të mëngjesit ishin akoma në doganë.  Gënjeshtra e KQZ-së del akoma më zbuluar, kur thotë se fletët e votimit janë porositur në 27 Qershor dhe janë prodhuar paraditen e 28 Qershorit. Ky është vendimi i KQZ-së i datës 28 Qershor, sipas të cilit urdhri për prodhimin e fletëve të reja të votimit për Vaun e Dejës është marrë në orën 6 të pasdites.”

Më herët gjatë paradites Komisioni Qendror i Zgjedhjeve rrëzoi  edhe dy kërkesat e fundit të Partisë Bindja Demokratike për të hapur kutitë e votimit në Tiranë e Shkodër.

Tv Klan