Në një konferencë të përbashkët për mediat me ministrin Bledi Çuçi, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku tha se nga operacioni i sotëm në ambientet e kampit të MEK, kanë mbetur të plagosur 15 efektivë policie dhe 21 rezidentë, prej të cilëve 15 kanë lënë tashmë spitalin. Kreu i Policisë së Shtetit, teksa tregoi të gjithë dinamikën e ngjarjes, u shpreh se 2 orë pasi policia ndodhej në kamp duke ushtruar kontroll sipas vendimit të gjykatës, u përball me një rezistencë të organizuar, në momentin që u zbuluan sallat e serverave dhe pajisjeve kompjuterike. Rrumbullaku theksoi se policia ka përdorur vetëm spraj individual dhe në asnjë moment nuk ka përdorur dhunë mbi banorët.



“Pas marrjes së urdhrit të ekzekutimit të SPAK, me vendim të Gjykatës së Posaçme, për lejimin e kontrollit të kampit MEK. Me marrjen dhe me njohjen e vendimit të gjykatës, nga ana ime kam dërguar shkresë zyrtare për të gjithë drejtuesit e MEK, për takim zyrtar të ditës së sotme. Në orën 8 të mëngjesit, unë së bashku me disa drejtues policie të nivelit të lartë, kemi thirrur në takim dhe na janë përgjigjur në takim të 6 drejtuesit kryesor të MEK. Përgjatë 1 ore kemi sqaruar me detaje gjithçka përfshihet në vendimin e Gjykatës së Posaçme, për lejimin e kontrollit, të ambienteve të të gjithë godinave, si dhe qëllimit për të cilin motivohej në vendim të Gjykatës së Posaçme. Kemi gjetur mirëkuptimin e tyre për momentet e para. Pas takimit zyrtar me ta, unë së bashku me ta jemi adresuar në hyrje të kampit dhe kemi kërkuar hapjen e portave respektive të tyre”.

“Së bashku me drejtuesit dhe forcat policore kemi hyrë në ambientet e të gjithë territorit. Pas këtij momenti ka nisur faza e kontrollit të të gjitha ambienteve. Për 2 orë të ushtrimit të kontrollit, për shkak të numri të madh të objekteve, pasi nga ana jonë u konstatuan paligjshmëri në raport me kërkesat e vendimit të gjykatës, sa i përket evidentimit të sallave të serverave dhe pajisjeve kompjuterike, gati 17 objekte, filloi një rezistencë e organizuar e të gjithë rezidentëve të kampit MEK, duke u përballur me policinë dhe duke mos lejuar ekzekutimin e vendimit të gjykatës”.  

“Pas këtij momenti, nga ana e forcave të policisë është kaluar në vetëpërmbajtje, ekstreme. Dhe në asnjë rast nga policia nuk është përdorur dhunë mbi rezidentët. I është kërkuar drejtuesve të MEK të flisnin me gjithë grupet që kryesonin rezistencën e organizuar ndaj forcave policore. Nuk kemi gjetur mbështetjen dhe mirëkuptimin e tyre. Pas kësaj, policia, ka përdorur procedurat standarde të punës për menaxhimin e turmave, dhe i vetmi mjet për realizimin e qëllimit, ka qenë spraj individual, pjesë e pajisjes personale të punonjësve të policisë. Nga gjithë kjo përballje, policia mbeti viktimë e dhunës së tyre, dhe jo rezidentët. Nga ana jonë është përdorur vetëm një spraj individual, i cili nuk ka sjellë asnjë pasojë jetësore mbi rezidentët. Kemi mbetur të dëmtuar ne, 15 punonjës policie. Janë dëmtuar disa mjete policore. Nga ana e tyre janë dëmtuar gjithsej 21 persona, të cilët ndodhen në dy spitalet e Tiranës. Aktualisht në momentin që po flasim nga 21, 15 prej tyre kanë lënë qendrat spitalore dhe janë adresuar në vendbanimin e tyre.”



Rrumbullaku, bëri dhe një panoramë të objekteve që ishin sekuestruar në këtë kamp.

“Në tërësinë e veprimeve të kryera nga policia, në zbatim të vendimit të gjykatës, janë sekuestruar në cilësinë e provës, të cilat kërkoheshin në vendimin e gjykatës, 96 njësi kompjuterike, 49 laptopë, 2 tableta, 3 karte memorie dhe materiale shkresore të bollshme, të cilat u tentuan të asgjësoheshin me djegie nga disa anëtarë të MEK. Prokuroria e Durrësit, ka nisur ndërkohë hetimet për kundërshtimin me dhunë të punonjësve të policisë dhe pengimin për ekzekutimin e vendimit të gjykatës”.

Kujtojmë se me kërkesë të SPAK dhe vendim të Gjykatës së Posaçme, mijëra forca të policisë ndërhynë për të ushtruar kontrolle në kampin Ashraf 3 në Manzë të Durrësit, ku qëndrojnë prej vitit 2014 muxhahedinët, ose të njohur si opozita iraniane./tvklan.al