Ligji për lojërat e fatit përplas fort aleatët qeverisës në ditën e fundit të këtij viti. Një ditë më parë, i pyetur për arsyen e shtyrjes me dy vjet të hyrjes në fuqi të ligjit, Kryeministri Edi Rama dha këtë përgjigje.

“E vërteta është që unë nuk kam ndryshuar asnjë presje nga ajo që kam thënë dhe ashtu e kam bindjen time. Ashtu siç është e vërtetë që nuk ia kam dalë të imponoj këtë bindje në një mazhorancë parlamentare, që është e përbërë nga njerëz që kanë bindjet e tyre, kanë idetë e tyre, etj.. Kemi arritur të bëjmë një disiplinim të konsiderueshëm, jo të mjaftueshëm, të lojërave të fatit. Kemi arritur ta ndalojmë hemorragjinë e tmerrshme të të gjithë pisllëkut që vinte nga informaliteti masiv dhe nga abuzimet masive, por nuk ia kemi dalë në këtë aspekt. Kjo është e vërteta. Pra, nuk kam ndryshuar unë mendim dhe nuk jam unë kontrollori i bixhozit. Unë jam që në Shqipëri nuk duhet të ketë fare salla lojërash, por në këtë pozicion s’jam mazhoritar. Nuk jam unë, shumicë e mjaftueshme për ta bërë këtë ndryshim”.

Nisur nga kjo deklaratë, Lëvizja Socialiste për Integrim i ka lëshuar një sfidë të fortë Kryeministrit. Nënkryetari Petrit Vasili deklaron se për LSI-në, ky është një problem shumë i thjeshtë.

“Kryeministri mund ta sjellë ligjin për mbylljen e bixhozit që në seancën e parë të Janarit. Të gjitha votat e grupit do të jenë pro mbylljes. Në qofte se një deputet i vetëm i LSI nuk do ta votonte, ai do të përjashtohej nga grupi. Besoj që deri në mbledhjen e parë të parlamentit të Janarit, Rama do t’i bëjë bashkë të gjitha votat e grupit të PS. Në pak javë i japim pra fund një herë e mirë problemit bixhozi”.

Përplasja PS – LSI vjen në një kohë kur nismëtarë për shtyrjen e ligjit të lojërave të fatit me dy vjet, me argumentin se mungojnë aktet nënligjore, janë deputetë të dyja palëve. Nga LSI, firmëtarë ishin Luan Dusha e Ylli Shehu ndërsa nga PS, Ervin Bushati, Ervin Koci dhe Blerina Gjylameti, të cilëve iu bashkua edhe deputeti i PDIU Tahir Muhedini.

Tv Klan