Përplasje fizike mes Damian Gjiknurit dhe Halit Valterit në Kuvend (VIDEO)



Përplasje fizike mes Damian Gjiknurit dhe Halit Valterit në Kuvend (VIDEO)

12:25 05/10/2020

Tensionet në Kuvendin e Shqipërisë janë të larta. Jashtë ambienteve të parlamentit, deputeti opozitar Halit Valteri dhe ai i mazhorancës, Damian Gjiknuri janë përfshirë në një përplasje fizike.

Siç duket nga pamjet, fillimisht, deputeti Halit Valteri i është drejtuar Gjiknurit dhe kanë debatuar me tone të ashpra.

Më pas Gjiknuri dallohet që mban të dy krahët e deputetit Valteri. Në këtë çast ndërhyn edhe Garda që ndan dy deputetët me Valterin që kthehet në seancën plenare.

Kujtojmë që ditën e sotme, në parlament do të votohet për ndryshimet në Kodin Zgjedhor që kanë të bëjnë me listat zgjedhore dhe koalicionet. Edhe gjatë seancës janë shënuar debate të forta mes deputetëve opozitarë dhe të mazhorancës.

Deklarata e fortë e deputetit: Po blihen deputetë që të kalojë Kodi i ri Zgjedhor

Gjiknuri: T’i denoncojë emrat po i pati

Sherri mes Damian Gjiknurit dhe Halit Valterit ka marrë vëmendjen përtej debateve që po bëhen për ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Pasi u filmua në ambientet jashtë Kuvendit teksa përplasej me Gjiknurin, Valteri ka deklaruar se është kërcënuar nga deputeti socialist.

Gjatë një prononcimi për mediat, Valteri foli ashpër kundër Gjiknurit dhe deputetëve të mazhorancës. Ai u shpreh se do të votojë kundër ndryshimeve që propozon PS-ja dhe se këta të fundit kanë blerë deputetë që të kalojnë Kodin e ri Zgjedhor.

“Dhe në Hënë të shkojë Gjiknuri me një Valterin nuk merret dot, sepse i kemi dhënë provat dhe dimë të japim prova sesi i trajtojmë mbeturinat. Nuk mund të krahasojmë Ahmet Zogun me një plehrë, me një hajdut që ka vjedhur mbi 100 milionë euro në Ministrinë e Energjetikës dhe që vjen guruja dhe ia merr nga 5 milion, sa herë vjen i takon gruan. Unë nuk rri në tryezë me të, nuk më keni parë ndonjëherë në tryezë me të dhe sa herë kam qenë pjesë e debateve me të e kam sulmuar siç duhet dhe siç duan gjithë shqiptarët. Shikoni sondazhet, kjo mazhorancë parlamentare me fekale të tilla do të përfundojë dhe me 30  mandate. Vota ime është kundër dhe grupi demokrat ka qenë kundër Kodit Zgjedhor, por me paratë e Gjiknurit janë blerë edhe deputetë të tjerë që do të kalojnë Kodin Zgjedhor. Ky parlament mbahet me njerëz të cilët kanë vjedhur shqiptarët dhe kanë përvetësuar të gjitha fondet e Shqiptarëve, taksat e shqiptarëve, ku prokuroria dhe SPAKU po i heton. Deputetët e blerë janë të gjithë ata deputetë që do t’i verifikoni ju më vonë, që kanë kaluar Kodin Zgjedhor”, tha Valteri.

Nga ana tjetër, Gjiknuri mohoi që të ketë kërcënuar Valterin. Sa i përket akuzave për blerje të deputetëve që të kalojë Kodi i ri, Gjiknuri tha “t’i denoncojë po i ka ata që janë shitur”.

“Pse duhet ta kërcënoja Valterin. Deputetët dhe komunikojnë. Valteri ta gjejë veten e tij. nuk jam këtu për të folur as me Valterin. Në fund të fundit çdo parti ka qëndrimet e saj politike. Unë nuk e di se çfarë qëndrimesh ka Valteri, por më vjen keq që debati i rëndësishëm për ligjin të kalojë në gjëra personale. E rëndësishme është që unë akuza personale kam dëgjuar nga të gjithë. Unë nuk merrem me çfarë i thashë unë zotit Valteri, unë s’kërcënoj njeri. Si duket disa njerëz janë mërzitur me ndryshimet e ligjit zgjedhor dhe nuk dinë të kontrollojnë emocionet e tyre. Sot po ndodh një gjë e madhe, po kalon ligji i ri zgjedhor që apo listat dhe Valteri i ka kërkuar me kohë”, tha Gjiknuri.

Kujtojmë që mes dy deputetëve pati një përplasje fizike dhe u desh ndërhyrja e Garës që të shmangej një tensionim i mëtejshëm i situatës. /tvklan.al




Të ngjashme