Një i vrarë dhe 5 të plagosur është bilanci tragjik i një përplasje me arme mes dy grupesh në Kavajë. Ngjarja e rëndë ndodhi në hyrje të qytetit ku disa të rinj janë konfliktuar fillimisht verbalisht dhe më pas kanë nxjerrë armët duke qëlluar në drejtim të njëri-tjetrit.

Si pasojë e të shtënave, ka mbetur i vdekur në vend 50-vjeçari Ramazan Hasalliu, një kalimtar i rastit që në ato momente ishte duke blerë bukë në një dyqan pranë vendit ku ndodhi përplasja.

Sipas policisë, autorë të vrasjes dyshohet se janë vëllezërit Denis dhe Marjus Aliaj. Ky i fundit ka mbetur i plagosur dhe mbahet nën vëzhgim nga policia në ambientet e spitalit të Durrësit, ndërsa në kërkim është shpallur vëllai i tij. Edhe të plagosurit e tjerë janë jashtë rrezikut për jetën në spital, dhe sipas policisë të gjithë kanë qenë të përfshirë në konflikt.

Sipas burimeve nga policia, mësohet se vëllezërit Aliaj janë konfliktuar fizikisht mbrëmjen e së mërkurës me Elio dhe Erald Hyka, edhe këta vëllezër me njëri-tjetrin. Të dy merreshin me sportin e mundjes dhe tashmë janë shpallur në kërkim nga policia.

Të dyja palët kishin lënë një takim për t’u sqaruar, por gjithçka ka degjeneruar në përdorimin e armëve që të rinjtë kishin marrë me vete. Në komisariatin e policisë janë shoqëruar 4 persona, ndërsa është ngritur një grup i posaçëm hetimi për të zbardhur ngjarjen e rëndë që troditi qytetin e Kavajës. Përveç pistës së një përplasje për motive banale, është duke u hetuar edhe nëse të rinjtë kanë pasur arsye të tjera për të nxjerrë armët ndaj njëri-tjetrit.

Tv Klan