Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka reaguar pas lajmeve se mes tij dhe kryeministrit Edi Rama ka pasur një përplasje për të deleguarën në krye të punëve të bashkisë së kryeqytetit.
Veliaj pranon se ka firmosur një ridelegim, por këtë e ka bërë me idenë e gabuar se ishte dakordësuar brenda ekipit drejtues. Për këtë bën fajtor punën pa informacionin e mjaftueshëm që është i detyruar të bëjë nga qelia e burgut.
Duke iu referuar postimit të Veliajt bëhet fjalë për një keqkuptim dhe për këtë arsye Anuela Ristani do të vijojë të jetë kryetare e komanduar e bashkisë.
E sa i përket marrëdhënies së tij me kryeministrin Edi Rama thotë se me të ka vetëm mall të takohet dhe nuk i shkon në mendje asgjë tjetër. Sipas kryebashkiakut të Tiranës, marrëdhënia e tyre është plazmuar në kohë të vjetra dhe nuk e ndryshon dot asnjë kohë “sado e mallkuar qoftë”.
“U informova që paska plasur peshku në moçalet mediatike për përplasjen time me Ramën, për punë delegimesh. E para njëherë, me Ramën kam vetëm mall të takohem për të folur për punët si gjithmonë dhe asgjë tjetër s’më shkon në mendje. E dyta, kam firmosur një ridelegim me idenë e gabuar se ishte dakordësuar brenda ekipit drejtues, por kështu është kur “punon” pa informacionin e mjaftueshëm. E fundit, kërkoni e gërmoni ku të doni tani, se u bë sport ky falë edhe prokurorit tim të dashur, por në marrëdhënien time me Ramën lodheni kot fare fare, se është plazmuar në kohëra të vjetra dhe nuk e ndryshon dot asnjë kohë, sado e mallkuar qoftë. Delegimi është rikthyer aty ku ishte dhe këtu mbyllet edhe keqkuptimi”, shkruan Veliaj.
Reagimi i Veliajt erdhi pasi ai i kishte deleguar kompetencat e kryetarit të komanduar të bashkisë, Sara Goxhajt duke ia hequr nënkryetares Anuela Ristani.
Gazetarja e Tv Klan, Elja Zotka, ka mësuar nga burime brenda Bashkisë së Tiranës se mbrëmjen e së mërkurës, në ambientet e Bashkisë së Tiranës ka shkuar vetë Kryeministri Edi Rama. Aty ai ka bërë një mbledhje me drejtuesit më të lartë të bashkisë.
Sipas të njëjtave burime Rama ka bërë të qartë se kryetare e komanduar e bashkisë do të vijojë Anuela Ristani./tvklan.al