Teksa janë shoqëruar në polici me dhjetëra persona mes tyre dhe Florenc Hoxha, ish-drejtor i Policisë Bashkiake të Tiranës për nxitje të dhunës dhe për dhunim të ambienteve publike, situata mes deputetëve të Partisë Demokratike që kanë shkuar për të takuar protestuesit dhe policëve është tensionuar në ambientet e Drejtorisë së Policisë së kryeqytetit.

Të pranishëm në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Tiranës kanë qenë deputetët, Flamur Noka, Klevis Balliu, dhe Gent Stazimiri. Sikurse duket edhe nga pamjet është deputeti Noka, ai i cili përplaset fizikisht me punonjësit e policisë.

Pasi doli nga ambientet e Policisë së Tiranës, Noka në një prononcim për mediat tha se, kupola e drejtorisë dhe vartësit e tij i gjeti duke pirë Whisky.

“Kupola e Policisë së bashku me vartësit e tyre ishte shtruar duke pirë Whisky dhe ne na linin të prisnim. Numri i të arrestuarve është 7 veta”.

Partia Demokratike në një reagim të sajin thotë se e dënon me forcë ushtrimin e dhunës policore ndaj kundërshtarëve politikë.

Deklarata e Partisë Demokratike

Partia Demokratike dënon me forcë ushtrimin e dhunës policore ndaj kundërshtarëve politikë. Rrahja dhe keqtrajtimi i protestuesve prej policisë politike nuk ka për ta shpëtuar dot kryehajdutin Edi Rama dhe pushtetin e tij të blerë me paratë e krimit të organizuar. 

Secili prej anëtarëve të Policisë Politike që, në shkelje të ligjit, po shoqëron, dhunon dhe po ushtron presion ndaj protestuesve, do të mbajë përgjegjësi personale. Ne nuk do ta harrojmë këtë!

PD falenderon çdo qytetar pjesëmarrës në protestë, që sakrifikoi sot diçka nga vetja për t’i shërbyer misionit madhor të çlirimit të qeverisjes nga një grusht hajdutësh, oligarkësh dhe kriminelësh, që ka marrë peng vendin. 

16 Shkurti është fillimi i betejës për çlirimin e vendit nga Kryeministri hajdut. Fundi i tij është i pakthyeshëm!

Shqiptarët treguan sot se, të bashkuar, mund ta mposhtin të keqen! E enjtja është shumë afër.

/tvklan.al