Trajneri ndihet i stresuar pas deklaratave në media të Presidentit në lidhje me punën e tij

Trajneri i Barcelonës, Ronald Koeman, ka nisur një betejë fjalësh me Presidentin e katalanasve Joan Laporta, ndërsa thotë se vetëm falë tij klubi ka një të ardhme.

Holandezi u bë pjesë e katalanasve në vitin 2020 dhe ka mbikqyrur një periudhë tranzicioni në “Camp Nou”.

Presidenti i klubit për gati dy javë punoi që të gjente zëvendësuesin e tij, por më pas vendosi që t’i besonte sërish 58-vjeçarit.

Por që atëherë për mediat, numri 1 i klubit ka thënë se ai duhet që të fitojë një kontratë të re dhe i ka vendosur holandezit objektiva që duhet t’i arrijë që të mbajë vendin e punës.

Por deklaratat publike e kanë stresuar trajnerin.

 “Marrëdhënia ime me Laportan është përmirësuar, por javën e kaluar ndodhi diçka që mendoj se nuk është e drejtë. Ai po sugjeronte që trajneri nuk ka të gjithë fuqinë. Ai foli shumë dhe nuk tregoi zgjuarsi në dy raste. Kjo mund të bëhet privatisht. Më pëlqen kur një President angazhohet dhe bën pyetje, vetëm se kjo nuk duhet të ndodhë në shtyp. Ky ishte problemi. Jam i hapur për të qëndruar. Po ia kaloj mjaft mirë. Falë meje ky klub ka të ardhme.”

Koeman e pranoi se dëshiron të qëndrojë në krye të Barcelonës edhe pas përfundimit të sezonit dhe se Barçës do t’i duhen dy vite për të qenë në gjendje për të konkuruar me klubet me të fuqishme të Europës.

Klan News