Moska ka bërë një tjetër ndërhyrje të ashpër pas zhvillimeve të fundit rreth marrëveshjes së Prespës. Një deklaratë e ministrisë së jashtme ruse, godet njëkohësisht Shkupin dhe Athinën.

Deklarata nënvizon se ndryshimet kushtetuese të votuara në parlamentin maqedonas “janë imponuar nga jashtë dhe nuk shprehin  vullnetin e popullit”.

Po ashtu, edhe Athina kritikohet se ka injoruar opinionin e popullit grek që e kundërshton këtë marrëveshje. Deklarata i referohet edhe largimit të Panos Kammenos nga koalicioni qeveritar dhe procesit të votëbesimit për qeverinë Tsipras.

Me tone gjithashtu të ashpra ka qenë përgjigjja e ministrisë së jashtme greke.

Në reagimin e Athinës shprehet “shqetësimi i përligjur” që deklarata ruse nuk merr parasysh funksionimin demokratik të institucioneve në Greqi, i cili “nuk përbën terren të përshtatshëm për komente nga palë të treta”.

Gjithashtu Athina nënvizon se deklarata e ministrisë së jashtme ruse “nuk i shkon për shtat nivelit që karakterizon marrëdhëniet Greqi-Rusi dhe lidhjeve shekullore të miqësisë midis të dy popujve”.

Ky është tensionimi i dytë në raportet Athinë – Moskë, që nga vera e kaluar. Atëherë Greqia dëboi dy diplomatë rusë, të cilët u akuzuan se po përpiqeshin të korruptonin zyrtarë lokalë, klerikë ortodoksë dhe qytetarë, me qëllim që ata të zhvillonin protesta kundër marrëveshjes së Prespës.

Tv Klan