Banorët e kampit të muxhahedinëve në Manzë të Durrësit janë konfliktuar me forcat e policisë për shkak të kontrolleve që u kryen me urdhër të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Policia ushtroi kontrolle me urdhër gjykate nën dyshimet për terrorizëm dhe krime kibernetike.

Por banorët e kampit MEK nuk i kanë pritur mirë këto kontrolle të policisë me urdhër të GJKKO dhe janë përplasur me policinë.

Madje, kanë pretenduar se një banor i kampit është vrarë dhe disa janë plagosur. Por ky informacion nuk është zyrtar dhe mbetet vetëm në kuadrin e pretendimeve të banorëve. Edhe zëdhënësi i kampit MEK ka shpërndarë një komunikatë ku jep pretendimet e banorëve, por nuk ka informacion zyrtar.

Nga ana tjetër, Policia e Shtetit e mohon këtë pretendim dhe thotë se nuk ka asnjë viktimë dhe se informacioni i shpërndarë nga kampi i muxhahedinëve është i pavërtetë.

Kontrolli i forcave të Policisë së Shtetit brenda kampit të muxhahedinëve në Manëz nisi herët në mëngjes dhe përfundoi në mesditë rreth orës 12:00.

Ndërkohë, kontrollet që janë bërë me urdhër të gjykatës janë në kuadër të hetimeve që po zhvillon SPAK për krime terroriste dhe krime kibernetike. Urdhri i dhënë nga GJKKO deri tani bëhet me dije se ka qenë vetëm për kontrolle dhe nuk ka të dhëna për urdhër-arreste.



Kontrollet brenda kampit të MEK, policia gjen servera për hakerimin e institucioneve

Brenda kampit të MEK në Manzë të Durrësit, policia gjeti disa servera kompjuterash që janë përdorur për sulme kibernetike.

Burime për gazetaren e Klan News Glidona Daci bëjnë të ditur se nëpërmjet këtyre serverave janë kryer sulme kibernetike ndaj disa institucioneve të huaja.

Qëllimi i kontrollit të policisë me urdhër të SPAK dhe GJKKO, ka qenë sekuestrimi i pajisjeve.

Brenda kampit të muxhahedinëve në Manzë ato kishin krijuar një qendër hakerash me të cilën kryenin sulme kibernetik në institucionet e huaja.


Reagon Ministria e Brendshme: Grupimi i MEK nuk i është përmbajtur angazhimeve, veprimet e policisë konform ligjit

Ministria e Brendshme ka reaguar pas kontrolleve të Policisë së Shtetit me urdhër të SPAK dhe GJKKO brenda kampit “ASHRAF 3” të muxhahedinëve në Manzë të Durrësit.

Ministria e Brendshme njofton se operacioni i policisë për kontrolle brenda kampit të MEK është bërë me urdhër të SPAK dhe vendimit të GJKKO.

Ministria e Brendshme thotë se grupim MEK nuk ka zbatuar marrëveshjen e vitit 2014, teksa kontrollet e sotme të policisë kanë hasur në rezistencë nga muxhahedinët teksa po zbatonin ligjin si në pjesën tjetër të territorit të republikës.

MINISTRIA E BRENDSHME: Operacioni i sotëm i Policisë së Shtetit në vendqëndrimin e MEK në Manëz të Durrësit është në zbatim të plotë të urdhrit të SPAK dhe vendimit të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Vendimi i Gjykatës është pasojë e veprimeve që bien haptazi ndesh me marrëveshjen dhe angazhimet e marra nga grupimi MEK prej vitit 2014 kur u vendosën në Shqipëri vetëm për qëllime humanitare. Fatkeqësisht ky grupim nuk iu është përmbajtur këtyre angazhimeve duke thyer marrëveshjen. Ndërhyrja e Policisë së Shtetit ka qënë konform ligjit dhe në zbatim korrekt të procedurave që kërkojnë operacione të tilla. Veprimet e Policisë së Shtetit për zbatimin e ligjit janë kryer si në çdo pjesë tjetër të territorit të Republikës së Shqipërisë.

Fatkeqësisht brenda kampit ka pasur rezistencë ndaj kryerjes së punës së Policisë së Shtetit, çka bie ndesh me kuadrin procedural të zbatimit të ligjit. Bazuar në të dhënat e Policisë së Shtetit, gjatë operacionit nuk ka pasur humbje jete dhe as të lënduar. Për çdo pretendim për humbje jete në spitalin e vendqëndrimit të tyre po bëhen të gjitha verifikimet proceduriale.


Policia: 1 person ka humbur jetën në kampin e muxhahedinëve si pasojë e arrestit kardiak

Pasi ka përfunduar kontrolli i Policisë së Shtetit në kampin e muxhahedinëve në Manzë të Durrësit, Policia Shqiptare ka reaguar lidhur me deklaratat e zëdhënësit të MEK, ku pretendohet sipas deklarimeve të banorëve se një qytetar i kampit është vrarë dhe disa janë plagosur. 

Policia shqiptare në rrugë jo zyrtare bën me dije se një mashkull 60-70 vjeç ka ndërruar jetë në kamp si pasojë e një arresti kardiak. Policia shton se viktima është dërguar për ekpertizë mjekësore.

Banorët e kampit të muxhahedinëve në Manzë të Durrësit janë konfliktuar me forcat e policisë për shkak të kontrolleve që u kryen me urdhër të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Policia ushtroi kontrolle me urdhër gjykate nën dyshimet për terrorizëm dhe krime kibernetike.

Por banorët e kampit MEK nuk i kanë pritur mirë këto kontrolle të policisë me urdhër të GJKKO dhe janë përplasur me policinë.


Muxhahedinët nxjerrin jashtë gazetarët dhe policët, bllokojnë derën kryesore të kampit të MEK në Manzë

Pas përfundimit të kontrollit të policisë brenda kampit të muxhahedinëve në Manzë të Durrësit, banorët e këtij kampi kanë nxjerrë jashtë gazetarët dhe forcat e mbetura të policisë.

Të gjithë banorët e kampit të MEK janë pozicionuar në hyrje dhe kanë bllokuar derën kryesore.

Ata akuzojnë policinë për kontrollin brenda kampit të muxhahedinëve dhe thonë se nuk ishin njoftuar. Teksa akuzojnë uniformat blu dhe për dhunë të ushtruar.


NJOFTIMI I POLICISË SË SHTETIT PËR KONTROLLET BRENDA KAMPIT MEK:

Në zbatim të vendimit të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe të urdhrit të ekzekutimit të Prokurorisë pranë kësaj Gjykate, për kontrollin e të gjitha ambienteve dhe zyrave ku  banojnë për qëllime humanitare, Policia e Shtetit, në kuadër të një plani operacional, ka filluar kontrollin e të gjitha ambienteve dhe zyrave në kampin MEK, në Manëz, Durrës.

Në zbatim të urdhër-kontrolleve të nxjerra nga Gjykata, Policia e Shtetit ka marrë masa për zbatimin e tyre, me planin e kontrollit të ambienteve në territorin e kampit MEK, duke zbatuar me rigorozitet etikën dhe komunikimin e duke respektuar të drejtat dhe liritë themelore të të gjithë qytetarëve dhe komunitetit që banon në këtë kamp.

Grupet e kontrollit të Policisë po vijojnë kontrollet në territorin e kampit MEK dhe në ambientet e brendshme të tij.

Në përfundim të kontrolleve do të ketë njoftim më të detajuar.

/tvklan.al