Joe Biden, shënjestra kryesore e rivalëve

I pari që hyri në sallën e debatit të dytë të moderuar nga CNN në Detroit, Joe Biden e parandiente që do të ishte shënjestra kryesore e 9 rivalëve të tij demokratë.

Ftesa ndaj Kamala Harris për një debat të butë nuk do të dëgjohej. Pikërisht me Senatoren e Kalifornisë, e cila e kishte sulmuar edhe në debatin e kaluar të qershorit, ish-zv.Presidenti Biden u përplas më fortë, këtë herë rreth reformës në Shëndetësi.

“Senatorja ka paraqitur disa plane deri tani. Sa herë dikush thotë se do të merrni diçka të mirë për 10 vjet, duhet të pyesni përse vonon 10 vjet. Nëse e keni vënë re nuk ka folur për koston e këtij plani, që në 10 vjet do të kushtojë 3 trilionë dollarë. Në fakt kjo është çështja më e rëndësishme me të cilën përballet publiku. Nuk mund të mposhtni Presidentin Trump dykuptimësi mbi këtë plan”, tha Biden.

Por Harris akuzoi Bidenin se është i pasaktë në argumentet e tij.

“Plani ynë do t’u lejojë njerëzve të regjistrohen që në ditën e parë. Foshnjat do të lindin nën planin tonë shëndetësor. Ka rreth 4 milionë foshnje që lindin çdo vit në Amerikë. Plani ynë siguron që çdo njeri të jetë pjesë e tij. Plani juaj nga ana tjetër, lë jashtë rreth 10 milionë amerikanë”, tha Kamal Harris.

Senatorja e Kalifornisë nuk la pa sulmuar edhe Donald Trumpin të cilin e quajti një grabitqar në krye të Shtëpisë së Bardhë.

Fituesi i primareve do të dalë nga Kongresi i demokratëve korrikun e vitit të ardhshëm. Zgjedhjet presidenciale në SHBA zhvillohen në nëntor të 2020.

Tv Klan