Opozita në Shkup akuzon qeverinë se e përdor politikisht procesin
Zëdhënësit e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut i kanë bërë thirrje diasporës që aktivisht të merr pjesë në procesin e regjistrimit, që parashihet të zgjasë nga 1 Marsi deri më 21 Prill të këtij viti. Ata kanë siguruar se ekziston protokolli për këtë operacion statistikor në kohë pandemie.
“Protokolli parasheh masa në të gjitha tre fazat e regjistrimit, gjegjësisht në fazën e testimit, trajnimit si dhe atë të zbatimit të regjistrimit në terren me protokoll të veçantë për regjistrimin e personave që në këtë periudhë rezultojnë të jenë pozitiv me COVID-19,” tha zëdhënësi i qeverisë Muhamed Hoxha.
Ndërkohë që ka filluar faza e parë e Regjistrimit 2021, Grupi parlamentar i VMRO-DPMNE-së në Kuvend ka dorëzuar ligjin, me çka kërkojnë që të ndërpritet operacioni statistikor. Propozimi i deputetëve, siç thonë nga opozita, mbështetet edhe me mbi 100.000 nënshkrime të qytetarëve.
“Nga një operacion të rregullt statistikor, paaftësia e Zoran Zaevit dhe Qeverisë, këtë regjistrim e shndërruan në operacion politik dhe pazare politike, vardisje dhe kthimin e borxheve koalicionuese,” u shpreh Ivanka Vasilevska, deputete e VMRO-DPMNE.
Ndryshe, tashmë tre ditë në Maqedoninë e Veriut ka filluar faza e parë e regjistrimit. Regjistrohen mërgimtarët, të burgosurit por edhe të pastrehët.
Regjistrimi i mërgimtarëve është shoqëruar me ankesa të shumta, prej se u paraqitën informacione se aplikacioni për regjistrim është jo i sigurtë dhe jo funksional. Nga Enti Shtetëror për Statistika kanë thënë se janë tejkaluar problemet dhe se keqpërdorimet e sistemit të aplikacionit dhe të dhënave personale do të sanksionohen sipas ligjeve në fuqi.