Rama: Degradim i opozitës. Basha: Shoqërohesh me kriminelë

Për herë të parë, Dita e Verës në Elbasan është shoqëruar nga përplasje të forta politike. Shkak u bënë axhendat e Kryeministrit Rama dhe kreut të opozitës Basha që përkonin në të njëjtin orar, e ku pavarësisht ndalimit të festimeve për shkak të pandemisë së Covid-19 në qytet nuk munguan mbështetës të shumtë nga të dy kampet.

Por situata u acarua pas thirrjeve të mbështetësve të opozitës në adresë të kryeministrit Rama. Kaq mjaftoi që militantë të dy kampeve të konfrontoheshin fizikisht, ç’ka detyroi më pas policinë të shoqëronte disa prej tyre në rajon.

Kryeministri Rama e ftoi kundërshtarin e tij që të ofrojë një sjellje qytetare.

“Pse duhet te merremi vesh me orarin, ca lidhje ka kjo, ne nuk jemi armiq,  s’kemi arsye përtej ballafaqimeve e betejës politike në mjedisin shoqëror të sillemi si njerëz e qytetarë çdo me thënë kjo përplasje.”

E vetëm pak minuta më vonë bëri një tjetër reagim në rrjetet sociale.

“Tash 20 vjet që vij në ditën e verës në Elbasan, s’kisha parë një turmë ulëritëse me flamuj partie, si ai automobili zhurmues i filmit “Koncert në vitin 36”. Dukeshin si 100 kopje të Ilir Metës, ndërsa Luli kishte parkuar makinën në korsinë e biçikletave e ishte fshehur mes tyre”.

Por Lulzim Basha e akuzoi se shoqërohej nga eksponentë të armatosur të bandave të Elbasanit.

“I them kryeministrit, mos guxo të kërcënosh qytetarët e Elbasanit me banditë me armë në brez.”

Kjo deklaratë e Bashës ndezi më shumë tonet.

“Lulzim je bërë një manekin qesharak i pengmarrësve të tu dhe pasi shkon në festën e popullit të Elbasanit me flamuj partie e me një turmë ulëritësash, flet përçart për banda e për kriminelë. Ndahu nga Likja e Saliu, këpute zinxhirin e Monikës, se lider s’je dot po bëhu pak burrë”.

Kryedemokrati e ftoi të heqë dorë nga kërcënimi me kriminelë.

“Hiq dorë nga shoqërimi me kriminelët me të cilët ke ardhur dhe ke qeverisur sepse është e pashmangshme, 25 prilli do të jetë dita e fitores së shqiptarëve”.

Kryeministri reagoi sërish duke e cilësuar një shfaqje vulgare të degradimit të opozitës.

“Kjo shfaqje vulgare është një tjetër shembull i degradimit të një opozite demode, e cila ka në krye një kukull në duart e Saliut dhe Ilirit, që duan sherr e përçarje, për të marrë peng Shqipërinë e drejtësinë! Keqardhje e madhe për PD e kthyer në vegël e dy hallexhinjve të drejtësisë”.

Por Lulzim Basha rrugës teksa kthehej në Tiranë e ftoi të heqë dorë nga provokimet e të ndahet nga eksponentët nga bandat e krimit.

Tv Klan